E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Kush ishte Komandant “Bjeshka 1” që u kthye nga Gjermania për të rënë në Koshare?

Në mesin e ushtarakëve të cilët iu bashkuan luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftuan me përkushtim në vijat e para të fronteve përballë forcave okupatore serbe ishte, edhe oficeri i lartë, Abaz Isuf Thaçi.

I pari i kësaj familjeje, Miftar Thaçi, luftoi kundër regjimit antishqiptar të Pashiqit duke iu bashkua radhëve të çetave çlirimtare të Azem Galicës, Shaqir Smakës, Nak Berishës, Kamer Loshit e të tjerëve. Babai i dëshmorit bashkë me të vëllanë kanë qenë pjesëtarë të Brigadës së Tretë Shqiptare, në cilët në vitin 1945 luftuan deri në Novi Pazar. Babë Isufi e nënë Shaha kishin tetë fëmijë: katër bij e katër bija: bijtë, Abazin, Ahmetin, Ismetin dhe Ilmiun si dhe bijat: Shehrijen, Shukrijen Fahrijen dhe Fetijen.

REKLAMË

Abaz Thaçi u lind më 14 shtator të vitit 1964, në fshatin Ozdrim në një familje fshatare, por me tradita atdhetare. Shkollën fillore dhe atë të mesme i ka kryer në Skënderaj. Qysh i ri ishte në mesin e nxënësve që kishte marrë pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981, në Skënderaj dhe në Mitrovicë, por nuk ishte arrestuar.

Akademinë Ushtarake e ka kryer në Zagreb të Kroacisë, ku u diplomua si oficer i Logjistikës. Shërbeu në Armatën Jugosllave katër vjet.

Duke u bazuar në aftësitë e tij, guximin, shkathtësinë dhe nivelin e komunikimit, eprorët e kishin sistemuar si zëvendës-komandant të objektit ushtarak ”Velebit-3”(Depoja e armatimit) të Armatës së Pestë jugosllave në Dellnicë, të Republikës së Kroacisë. Gjatë asaj kohe, sidomos pasi në Kroaci kishte shpërthyer lufta atdhetare, eprori i lartë Abaz Thaçi mbante lidhje të vazhdueshme më kolegët e vet shqiptarë, më vonë bashkëluftëtarë në Frontin e Koshares. Ka qenë i angazhuar për evakuimin e ushtarëve shqiptarë nga lufta e Kroacisë si dhe për sigurimin e armëve për luftën në Kosovë. Ishte liruar nga armata kroate më 15. 11. 1990. (Vendimi nr.43/77/2)

Pastaj në Gjermani, ku punoi deri në vitin 1998. Meqë ishte ushtarak profesionist, Abaz Thaçi erdhi nga Gjermania në Tiranë për tu angazhuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku edhe u radhit në muajin qershor të vitit 1998.

Në korrik, gjatë luftimeve u plagos. Pas shërimit, për tetë muaj kreu detyrën e shefit të logjistikës. Kur filluan luftimet për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, Abazi u vu në ballë të Brigadës dhe mori pjesë aktive në luftime.

Meqë kishte krijuar përvojë profesionale në Armatën Jugosllave, Abazi e njihte mirë strategjinë e armikut dhe taktikat, të cilat armiku i kombinonte në luftime. Ai kishte veprimtari të rëndësishme kombëtare në planin e motivimit, përgatitjes, evakuimit të ushtarëve shqiptarë në luftën e Kroacisë, armatimit të ushtrisë tonë, ushtrimeve për përdorimin e armëve dhe ushtrimeve tjera taktike, luftarake. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftë dhe çlirimin e vendit dhe thyerjes përgjithmonë të kufirit që për afër një shekull kishte ndarë padrejtësisht shqiptarët.

Duke qenë në njohuri me rrjedhat dhe zhvillimet në Kosovë ku regjimi i Millosheviqit kishte suspenduar Autonominë e Kosovës dhe kishte ushtruar represion sistematik shtetëror, policor dhe ushtarak kundër shqiptarëve që nuk e pranonin regjimin e tij, Abaz Thaçi si oficer dhe ushtarak me përvojë e dinte se rruga e vetme për çlirimin e vendit nga barbaria pushtuese, ishte rrëmbimi i armëve dhe krijimi i një force ushtarake. Ai nuk e kishte pushuar asnjëherë aktivitetin e vet në mobilizim të përgjithshëm të rinjve për luftë në Kosovë.

REKLAMA

Me fillimin e luftës, mori pjesë në ushtrimet ushtarake të vullnetarëve shqiptarë në Golem, Kalimash, Kolsh e gjetkë. Shkëlqeu më cilësitë sidomos aftësitë për artin luftarak. Gjatë qëndrimit të tij, në Tiranë, në vitin 1998 Abaz Thaçi kishte kontaktuar shumë të rinj nga Kosova dhe i kishte motivuar për luftë.

Në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, në krye me kolonel Ahmet Krasniqin, Abaz Thaçi në verë të vitit 1998 ishte emëruar oficer në Gardën ushtarake të Kosovës, ”Skënderbeu”.

Nga kjo gardë më vet dëshirë por edhe me pëlqimin e eprorëve hyn në Kosovë dhe vendoset në Pepaj, dhe në kuadër të GO-3, ai caktohet komandant i logjistikës për repartin, në Babinë.

Më 9 Prill të vitit 1999 vendoset në vijën e kufirit në Padesh. Ai kishte përgatitur ushtaret e vet që të kryejnë më sukses punën e logjistikës ndërsa vet ishte hedhur në vijë të zjarrit.

Po atë ditë mori pjesë në çlirimin e Kazermës së Kosharës. Pas çdo sulmi Abazi kthehej më trofe lufte. Duke qenë se kishte vlerësuar si veprim i domosdoshëm, kishte kërkuar nga komandanti që të vendoset në drejtimin”777” te Rrasa e Koshares, aty ku ishin zhvilluar luftime të rrepta dhe të pa ndërprera.

Gjatë betejës së Koshares, ndodhej në mesin e eprorëve të Brigadës 138, Agim Ramadani si: Sali Çeku, Agim Ramadani të dy të rënë dëshmorë gjatë luftës, pastaj edhe bashkëluftëtarëve të ngushtë: Rrustem Berisha, Fadil Hadergjonaj, Milazim Maraj e të tjerë. Gjatë luftës është njohur edhe me nofkën “Komandant Bjeshka 1”.

Më 26 prill të vitit 1999 Abaz Thaçi më dy ushtarët e tij kapi të gjallë korrierin e komandantit serb “Pilot”, i cili iu dorëzua NATO-s. Më robërit e luftës ishte i kujdesshëm dhe tregohej shumë korrekt.

Ai me përkushtim dhe vetëmohim kishte pranuar vendimin e komandës së Brigadës, 138”Agim Ramadani”, të Zonës Operative të Dukagjinit, me moton: Unë para, ju ejani pas meje. Nuk lejonte që ushtarët të prijnë në ballë dhe vetë të komandonte nga prapavija, por vepronte ashtu sikur ishte bërë traditë kudo në luftën e UÇK-së, ku komandantët e përkushtuar dilnin në ballë dhe ftonin ushtarët që t’ i pasonin.

Më 8 maj të vitit 1999 komanda e Batalionit të Dytë i kishte dhënë leje Abazit që të shkonte për një vizitë në familjen e tij, në Tiranë, por ai e kishte refuzuar. ”Në këtë kohë lufte, pushimi është luks dhe këtë nuk ia lejoj vetes” u kishte thënë prerë.

Bashkëluftëtarët, flasin me pietet për vlerat e tij ushtarake e morale, kolegiale e shoqërore. Ishte i guximshëm, i aftë, i përcaktuar, i përpiktë, ndërsa në komandim ishte shumë gjakftohtë.

Duke qenë ushtarak me përvojë dhe duke ditur moralin e çlirimtarëve, sulmet, madje edhe ato më forta të armikut, me potencial dhe armë të sofistikuara, nuk e frikësonin por e mobilizonin. Sulmi më tanket nuk e kishte zmbrapsur. Ai kërkonte nga ushtarët e vet të përfillnin rregullat në istikame Më gjithë atë force sulmuese Abazi kishte humbur vetëm një ushtar.

Më 11 maj të vitit 1999 në ora 11.0o tanku i armikut kaluar mbi istikamin e Abazit dhe ai arriti të vrasë ushtarin serb mbi tank, ndërsa dy ushtarët e UÇK-së, kishin vrarë të gjithë përcjellësit e tankut. Komandant, Abaz Thaçi ishte i kujdesshëm edhe ndaj viktimave të armikut. Ai kërkonte që ata të varroseshin me rregulla ushtarake, ndërsa shënimet e gjësendet e tyre i dërgonte në komandë.

Më 16 maj të vitit 1999, gjatë luftimeve në mesditë, komandant Abaz Thaçi goditet befasisht nga një snajperist serb. Ushtaret e tij e tërheqin nga pozicioni, por ai i urdhëron të kthehen përnjëherë në pozicione. Mua më mbartin vetëm dy ushtarë ju të tjerët vazhdoni luftën… Liria jonë është e sigurt… Më vjen keq që po ndahem nga ju… kishin qenë fjalët e tij të fundit, me besim se fitorja nuk ishte e largët.

Shteti i Kosovës, (Presidenca) për të cilin ai kishte dhënë, mundin dijen dhe gjakun e ka dekoruar dëshmorin, Abaz Thaçin me “urdhrin” Adem Jashari. Tani mbanë gradën “Hero i Kosovës”. Kjo është mirënjohje për sakrificën e tij më vlerë të pa kontestuar kombëtare. Vlerësimi më i madh që mund të bëhet për Heroin është ruajtja atdheut dhe vlerave të tij.

Përveç vëllezërve e motrave, Abaz Thaçi ka lënë edhe nipat: Ekremin, Emirin, Arbrin, Kushtrimin, Mendimin, Getuarin, Elvisin, Enisin, Leotrimin, Lavdimin, Lorisin, Lorikun…

Mbesat: Zyla, Syzana, Shaha, Erlinda, Qëndresa, Heroina, Hyrgeta, Ida… Vëllezërit dhe motrat se bashku me nipa dhe mbesa janë dhe do te jenë përherë krenarë me veprën e heroit, Abaz Thaçi.

Familja Thaçi ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme, nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, si dhe nga institucionet e tjera të vendit.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer