Gazeta Sinjali raportoi sot për arrestimin e një 63-vjeçari në Gjakovë, i cili po dyshohet se ka ngacmuar seksualisht disa nxënëse të mitura, të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”. Ai dyshohet se edhe më parë ka bërë veprime të tilla, por në rastin e fundit eskaloi, duke ekspozuar organin gjenital. Si rezultat i denoncimit ai u prangos dhe tashmë kanë nisur hetimet ndaj tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Haki Hotin, i cili u kap dje nga Policia dhe iu caktua masa e ndalimit policor, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual”.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën pasdite, në afërsi të shkollës së muzikës, në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku i dyshuari ka ngacmuar tri nxënëse të mitura, dy të moshës 10-vjeçare dhe tjetra 11 vjeç, duke ekspozuar organin gjenital posa ka kaluar pranë tyre dhe për të mos mbaruar me kaq ka tentuar që komunikojë me to.
Siç mëson Sinjali, ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fakt është se i dyshuari edhe më parë ka bërë veprime të tilla dhe nuk dihet nëse ndonjë nxënëse e kësaj shkolle apo ndonjë vajzë tjetër e ka pësuar.
Përballë kësaj situate, vajzat fillimisht kanë kërkuar ndihmë nga drejtoria dhe më pas rasti është raportuar në Polici, ku të miturat kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që kishte ndodhur.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë 63-vjeçarin e dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.
Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë