Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së shtunës fshatin Fushticë të Poshtme në Gllogoc, ku një person ka humbur jetën pasi është qëlluar me armë zjarri, shkruan sinjali.com.
Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, rasti ka ndodhur rreth orës 13:35 në garazhin e oborrit të shtëpisë së viktimës, R.Sh., 68-vjeçar, i cili është gjetur pa shenja jete dhe është dërguar në QMF-Komoran, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve, forenzika dhe prokurori kujdestar. Gjatë ekzaminimit janë sekuestruar një fishek, një gëzhojë dhe një armë zjarri e llojit ZORAKI 917-T, e cila ishte gjetur në një shtëpi afër vendbanimit të viktimës.
Pas veprimeve të para hetimore, është arrestuar i dyshuari Vehbi Plakaj, 76-vjeçar, i cili në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar kryerjen e veprës.
Sipas të dhënave fillestare, Prokuroria Themelore ka iniciuar rastin si “Vrasje” me elemente të mundshme të manipulimit të provave, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit./Sinjali
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.