Këto ditë ka nisur pastrimi i hapësirave publike edhe në komunat në veri të vendit, raporton Rajoni.org.
Pastrimi ka përfshirë largimin e mesazheve dhe mbishkrimeve që bëjnë thirrje për cenimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, siç është slogani “Kad se vojska vrati”, si dhe figurave të personave të dënuar për krime lufte, përfshirë Ratko Mladiqin, i dënuar për gjenocid në luftërat në Ballkanin Perëndimor.
Sipas informatave të siguruara nga Rajoni.org, ky projekt është realizuar falë përkushtimit dhe bashkëpunimit të biznesmenit të njohur nga Gjermania, Ilir Seferi, i cili ka financuar të gjithë këtë projekt.
Ilir Seferi njëherit është edhe kandidat me numër 30 për asamble për Kuvendin Komunal të Skenderajt nga rradhet e Lëvizjes Vetëvendosjes
Lidhur me këtë nismë, ka njoftuar edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Në kuadër të rregullimit të hapësirave publike të komunave tona, këto ditë është bërë pastrimi i hapësirave publike edhe në komunat në veri të vendit. Hapësirat publike u takojnë të gjithëve dhe aty duhet të gjejë vend secili. Disa nga pastrimet e bëra kanë të bëjnë me mesazhe që bëjnë thirrje për cenimin e rendit juridik dhe kushtetues të Republikës sonë siç është thirrja “Kad se vojska vrati” si dhe nga figurat si Ratko Mladiq, që është tashmë edhe i dënuar për gjenocid në luftërat në Ballkanin Perëndimor. Republika e Kosovës është vend demokratik, me orientim të qartë perëndimor, dhe si e tillë nuk do të lejojë mesazhe të tilla që nxisin përçarje dhe mosdurim mes komuniteteve tona”, ka shkruar Krasniqi në facebook.