E enjte, 31 Tetor, 2024

E rrahu partneren në një motel në Drenas, ky është 26 vjeçari i arrestuari për ‘shtytje dhe ndihmë në vetëvrasje’,

Një rast i rëndë ka ndodhur para dy netësh në afërsi të një moteli në rrugën Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Korroticë e Epërme, ku një vajzë u godit nga një veturë. Rastit dyshohet se i parapriu një rast i dhunës, ku është përfshirë partneri i saj. Ky i fundit po hetohet “shtytje dhe ndihmë në vetëvrasje” dhe tashmë ndodhet në ndalim policor, raporton Sinjali.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Drenis Oruqi, rreth 26-vjeçar.

I dyshuari dhe viktima e moshës 21-vjeçare, fillimisht kishin qëndruar në motel, ku kanë pasur një konflikt verbal mes vete që eskaloi edhe në dhunë fizike.

Oruqi po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën, çka e shtyri vajzën që të largohet nga moteli për të shpëtuar, por e pësoi në mes të rrugës.

Viktima u godit nga një veturë dhe pësoi lëndime të rënda trupore, për çka u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi ishte fjalosur e më pas dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare.

E njëjta dyshohet se ishte goditur aksidentalisht nga një veturë, me ç’rast është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut është jashtë rrezikut për jetë.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer