E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ky është i arrestuari në aksionin kundër fajdesë, ka qenë i përfshirë në skandal tjetër

Bashkim Mulolli dhe i biri i tij, Arbëri, janë dy nga katër personat që kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot pas një aksioni të gjerë kundër fajdeve të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në rajonin e Prishtinës, Podujevës dhe Vushtrrisë, raporton Gazeta Sinjali.

Mulolli nuk është emër i panjohur për organet e drejtësisë dhe mediat vendore, pasi që kohë më parë ishte burgosur për katër vepra penale, ndër to edhe për vrasje në tentativë.

E më pas ai ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë së Shtetit në në çështjen penale ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe tre të akuzuarve tjerë, Ardian Krasniqi, Marigonë Berisha dhe Flora Doda.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e Lavdim Krasniqit, Marigonë Berisha.

Sipas aktit akuzues, Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Safadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi akuzohej se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin ngarkonte se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhej se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Një takim i Mulollit ballë për ballë me Lavdim Krasniqin ishte publikuar në mediat vendore, ku paraqitej se si Krasniqi, ka ndërhyrë për ta ndihmuar të dënuarin Mulolli. Flitet për paratë që ka marrë dhe një veturë për asistenten, Marigona Krasniqi si dhe paratë për shkollimin e fëmijëve të Krasniqit.

Kujtojmë se Lavdim Krasniqi, disa javë më parë është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me gjashtë muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë. Ai u shpall fajtor se nuk ka deklaruar pasurinë dhe dhuratat, kështu deklarimi i tij nuk ka përfshirë përfitimin e 40 mijë eurove që ka pranuar për shitjen e një banese dhe ka kryer veprën penale të mos deklarimit të pasurisë.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer