Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat e mitura të cilat keqpërdoren seksualisht nga personat të moshës madhore.
Këtë herë, viktimë është një 15-vjeçare, e cila dyshohet se është dhunuar nga një person, para dy netësh në Skenderaj.
Denoncimi i rastit ka aktivizuar Policinë dhe një person i dyshuar tashmë është arrestuar, i cili fillimisht ishte intervistuar si dëshmitar.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari është Sh. Rama, rreth 25-vjeçar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë natës në lokal, ku viktima ishte bashkë me të dyshuarin, i cili e ka mohuar të ketë pasur raport intim me vajzën.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe rikualifikimin e rastit nga ‘Sulm seksual’ në ‘Dhunimi’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Lidhur me rastin viktima femër kosovare është dërguar në ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.