E enjte, 5 Dhjetor, 2024

Ky është i riu që po kërkohet për tentim vrasje, ka mbi 40 raste në Polici

Gazeta Sinjali publikoi sonte rrëfimin e të dyshuarit që po kërkohet nga Policia për një rast të tentim vrasjes në fshatin Katund i Ri i Pejës, që ndodhi dje pasdite dhe viktima janë babë e bir. Këta dy të fundit dyshohen se që një kohë kanë një konflikt me të dyshuarin dhe siç duket ditën e djeshme janë qëruar hesapet.

I dyshuari, Endrit Gashi, i cili është identifikuar nga Policia është lajmëruar gjatë ditës së sotme në Gazetën Sinjali. Ai akuzon Policinë në Pejë për mostrajtim të rastit objektivisht dhe thotë se nuk do të dorëzohet pasi nuk është i mbrojtur.

Burimet nga Prokuroria thonë se Endrit Gashi, i cili po kërkohet për këtë rast të tentim vrasjes ka mbi 40 raste për vepra të ndryshme në Polici.

Më poshtë gjeni raportimin e Sinjalit për këtë rast.

Sinjali ju sjellë më poshtë identitetin e të riut nga Peja dhe rrëfimin e tij për këtë rast që dyshohet se lidhet me një mosmarrëveshje që ka pasur me viktimën kohë më parë.

Fillimisht gjatë ditës së sotme, Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast që u denoncua nga një dëshmitar, i cili ka pretenduar se ka parë ngjarjen në tërësi dhe që ka dërguar në spital viktimat. Bazuar në dëshminë tij, pesë personat e dyshuar, njëri prej të cilëve i armatosur me kallash, ndërsa katër të tjerë me shufra të drurit, kanë filluar të sulmojnë fizikisht dy viktimat duke i goditur pa ndërprerë derisa kanë rënë në tokë.

Njëri prej të dyshuarve që është identifikuar nga Policia është Endrit Gashi, i cili nga arratia është lajmëruar në Sinjali dhe ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, që sipas tij lidhet me një konflikt që ka pasur me njërin nga viktimat, Agron Gashin.

Sipas Endritit, i cili thotë se nuk ka asnjë lidhje familjare me viktimat, në rastin e fundit ka vepruar në vetëmbrojtje, pasi thotë se Agroni bashkë me babain e tij Mentorin kanë tentuar ta therin me thikë. I riu e arsyeton sulmin duke thënë se “U duftë me mbrojtë veten ose me metë i vdekun nvend”,

“Dje ata kanë tentu me m’ther me thika, une sulmu si kom hiç. Ia kom fut dy herë përpjetë edhe jom largu sa me i tërhekë prej meje, mos me mu afru me m’therë e mem bo najsen se s’jonë tu m’lonë vend kërkah veç mos me dalë prej shpisë teme s’kom mbrojtje as prej policisë as kërkujt.”

Ndonëse po kërkohet nga Policia, ai thotë se nuk do të dorëzohet pasi s’ka besim e as mbrotje, pasi disa herë më parë i ka denoncuar viktimat për kërcënimet që pretendon se ia kanë bërë.

“5 herë viktimë, jom shku n’polici m’kanë rreh m’kanë llomit. As ni ditë dënim se kanë hongër personat n’fjalë. Rasti o se m’kanë lodhë qe dy vjet tu m’kërcnu me jetë, t’u më marrë pare e telefona e ça m’kanë nxonë Agroni me shokë të vet, kohës fundit ia ka nisë edhe baba i Agronit. 5 herë e kom lajmëru në polici, s’kanë ndërmarrë masa, e mbramta herë u konë para tri nate. E kom lajmëru m’kanë rre baba e djali, thikën fyt ma kanë qitë”, tha Endriti për Sinjalin.

Mosveprimi i Policisë ndaj të dyshuarve siç thotë ai, po e shtyjnë që të mos kërkojë ndihmë e as mos të lajmërohet, pasi nuk po i ofrojnë mbrojtje. I mllefosur Endriti u shpreh se “nuk i bi në dorë Policisë në Pejë”, duke i fajësuar për këto raste.

“Unë s’di as ku mu mbështet mo. Dje kanë tentu me thika apet edhe ndodhi qajo. S’kom unë mbrojtje prej tynve, as nuk kom pasë deri sot. Ata me njoftësi e kanë bo ketë punë. Policisë n’Pejë nuk i bi në dorë përjetë as të Vitomericë, ata jonë shkaku kryesor”, thotë ai tutje.

Konflikti mes tyre dyshohet se lidhet me një ngatërresë që Endriti ka me Agronin që dy vjet, por akoma nuk janë pajtuar, prandaj sipas tij kanë pasur këto incidentet e kërcënime.

“Rasti ka ndodhë qe dy vjet e knej prej një ngatërrese mes meje edhe Agronit, djalit të Mentorit ku lypke pare për me u pajtu. Unë pare s’kom jep edhe tani vazhdimisht m’kanë kërcënu ai me shokë t’vet, ku edhe i kom lajmëru në Polici, po s’kanë ndërmarrë masa as Policia as Prokuroria. Tash kohës së fundit m’ka rreh para tri nete me babë t’vet. Agroni edhe Mentori ma kanë qitë thikën në fyt. I kom lajmëru s’ka ndërmarrë masa Policia. M’kanë maltretu që dy vjet e në fund më morën në qafë, s’di kah me ia majtë mo. Ku me nejtë more n’shpi i rrezikum, knej Policia, knej ata”.

“As Policia nuk m’ndihmon, s’ka nevojë me n’ndihmu po s’pe bon punën drejt”, tha ai në fund duke shtuar se nuk ka guxim të dorëzohet në Polici pasi deri më sot nuk i kanë ofruar mbrojtje.

Rastin për tentim vrasje e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Pejë dhe kanë bërë të ditur se katër persona dyshohet se janë përfshirë në rast, të cilët akoma s’janë arrestuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer