Labinot Halilaj, ish nënkryetar i Degës së PDK-së në Drenas dhe delegat i Konventës së fundit të partisë, ka deklaruar se ishte personi i parë nga të gjitha strukturat e PDK-së që publikisht kishte bërë thirrje për garën për kryetar të partisë, drejtuar z. Bedri Hamza.
Halilaj ka kujtuar se kishte kërkuar ndryshime në kohën kur strukturat e partisë në gjithë territorin e vendit po përballeshin me një gjendje të rënduar organizative, gjë që, sipas tij, u dëshmua edhe në rezultatin e dobët të PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale.
“Në atë kohë, e kam parë të domosdoshme që partia të ndryshojë drejtimin dhe t’i hapë rrugë reformave. Këtë e kam thënë publikisht, duke ftuar z. Bedri Hamza të marrë përgjegjësinë për t’i dhënë PDK-së energjinë e re që i nevojitet”, ka thënë Halilaj.
Ai ka shtuar se ndihet i lumtur që, edhe pse nuk ishte dëgjuar në atë kohë, sot z. Hamza ka vendosur të garojë për kryetar të PDK-së.
“Sot ndjej kënaqësi që ajo thirrje ime e hershme po bëhet realitet. Jam i bindur se me z. Hamza, PDK-ja do të jetë aty ku e meriton, në vendin që i takon”, ka deklaruar Halilaj.