Wednesday, July 2, 2025

Labinot Halilaj kërkon unitet rreth kandidaturës së Lladrovcit: PDK-së i duhet një lider, jo vetëm një kryetar

Nënkryetari i degës së PDK-së në Drenas, Labinot Halilaj, ka reaguar lidhur me diskutimet brenda partisë për kandidaturën për kryetar komune, duke i cilësuar këto si shprehje të vlerave të brendshme demokratike të partisë, shkruan rajoni.org.

Në një postim të gjatë, Halilaj thekson se numri i atyre që shprehin interes për të kandiduar nuk duhet parë si dobësi, por si forcë e PDK-së në Drenas.

Ai përmend edhe thirrjen e Ramiz Lladrovcit për unitet si një moment reflektimi të rëndësishëm, duke shtuar se tani është koha që edhe të tjerët të reflektojnë dhe të bashkohen rreth një kandidati të përbashkët, pikërisht Lladrovcit.

Postimi i plotë:

Të nderuar përkrahës dhe simpatizantë të PDK-së – dega Drenas,

Numrin e të interesuarve për të garuar për kryetar të komunës brenda PDK-së nuk duhet ta shohim as me kritikën më të vogël, por përkundrazi si një vlerë të brendshme të Partisë. Kandidaturat e ndryshme duhet padyshim të vlerësohen, por nuk ekziston asnjë arsye reale për ndryshim.

Thirrja e z. Lladrovci për unitet ka qenë një reflektim i rëndësishëm nga ana e tij dhe pikërisht në zgjedhjet e 9 shkurtit, të gjithë së bashku arritëm rezultatin më të mirë të atyre zgjedhjeve. Besoj se tani është koha për reflektim nga të tjerët, të bëjnë thirrje për unitet rreth një kandidati të përbashkët siç është z. Lladrovci.

Në këtë drejtim, më shumë se kujtdo tjetër, i takon kryetarit të partisë, z. Memli Krasniqi, të marrë rolin udhëheqës. Edhe pse në konventën e fundit qëndrimi im publik ishte në favor të ndryshimit, tashmë pas rizgjedhjes, mendoj se z. Krasniqi nuk duhet të qëndrojë as edhe një sekond në karrigen e kryetarit por ta rrembejë fuqishëm rolin e liderit të partisë. Sepse më shumë se kurrë, PDK-së i duhet një drejtues me vizion lideri që e ndal të keqen më të madhe që po i ndodh vendit dhe ajo e keqe quhet Albin Kurti.

Zgjedhjet parlamentare janë të pashmangshme, prandaj fokusi ynë duhet të jetë aty. Duhet të neutralizojmë dallimet e brendshme dhe të punojmë të gjithë së bashku në mobilizim dhe organizim, pa u ndalur, deri në largimin e kësaj qeverisje.

Në fund, ua rikujtoj të gjithëve se brenda degës, askush nuk ka pasur beteja më të forta për qëndrime të ndryshme sesa unë dhe z. Lladrovci por i kemi tejkaluar ato, dhe të njëjtën duhet ta bëjnë të gjithë për të mirën e vendit dhe për hir të proceseve zgjedhore që na presin. Duhet të dalim fitimtarë!

Bashkë e kemi nisur e bashkë do të vazhdojmë!

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer