Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri ka reaguar ashpër ndaj tenderit publik të Komunës së Vushtrrisë për projektin “Asfaltimi i Rrugëve në fshatra dhe qytet – Projekt 3-vjeçar”, me vlerë prej 4,980,282.58 euro, duke kërkuar nisjen e hetimeve nga Prokuroria, shkruan rajoni.org.
LDK i referohet vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP2025/321), i cili ka konfirmuar se Komuna e Vushtrrisë ka përfshirë kritere të kundërligjshme dhe diskriminuese në këtë tender, duke kufizuar konkurrencën dhe duke cenuar parimet e transparencës e trajtimit të barabartë.
“Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna:
• Ka kërkuar standarde ISO të panevojshme për këtë lloj kontrate ndërtimore;
• Ka vendosur afate të padrejta e të shkurtuara për dorëzimin e ofertave;
• Ka vendosur pengesa të drejtpërdrejta për konkurrencën”.
LDK në reagimin e saj thotë se këto veprime bien ndesh me Nenin 7 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe me Nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës, që sanksionon keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
“Kërkojmë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë që të nisë hetime urgjente për të verifikuar përgjegjësinë individuale të zyrtarëve që kanë hartuar dhe aprovuar këtë tender”, thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Vushtrri.
Sipas tyre, kurdisja e tenderit për të favorizuar operatorë të caktuar përbën korrupsion dhe dëmton rëndë besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Reagimi i plotë:
📣 REAGIM PUBLIK – FTOJMË PROKURORINË TË NIS HETIME PËR TENDERIN 4.98 MILIONË € NË KOMUNËN E VUSHTRRISË
Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP2025/321) konfirmon gjetjet e organizatës INPO dhe vërteton se Komuna e Vushtrrisë ka përfshirë kritere diskriminuese dhe të kundërligjshme në tenderin publik për projektin “Asfaltimi i Rrugëve në fshatra dhe qytet – Projekt 3-vjeçar”, me vlerë të parashikuar prej 4,980,282.58 €.
🔍 Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna:
• Ka kërkuar standarde ISO të panevojshme dhe të parëndësishme për llojin e kontratës (ndërtim rrugësh),
• Ka kufizuar padrejtësisht afatin për dorëzim të ofertave, në kundërshtim me ligjin,
• Ka krijuar pengesa të drejtpërdrejta për konkurencën duke shkelur parimet e transparencës, proporcionalitetit dhe trajtimit të barabartë.
Këto veprime bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me:
• Nenin 7 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i cili përcakton se autoritetet kontraktuese duhet të sigurojnë trajtim të barabartë, mosdiskriminim, transparencë dhe proporcionalitet gjatë përgatitjes dhe zbatimit të kontratave publike.
• Nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili sanksionon keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar kur ndonjë zyrtar publik vendos kushte që favorizojnë palë të treta apo shkakton dëm interesit publik.
❗Kurdisja e kushteve të tenderit për të favorizuar operatorë të caktuar përbën korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.
⚖️ KËRKOJMË HAPJEN E HETIMIT PENAL
Bazuar në vendimin e OSHP-së, ftojmë Prokurorinë Themelore në Mitrovicë që të nisë hetimet urgjente penale për këtë rast, për të verifikuar përgjegjësinë individuale të zyrtarëve që kanë hartuar dhe aprovuar dosjen e tenderit.
Në një kohë kur qytetarët presin projekte të ndershme, ligjore dhe në funksion të interesit publik, veprime të tilla përbëjnë rrezik të madh për besimin në institucionet publike dhe për integritetin e sistemit të prokurimit.
Prokuroria Speciale 🔈