Të premten zyrtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës e gazetarë njoftuan se Gjykata Speciale ia ka aprovuar lirimin e parakohshëm me kusht Hysni Gucatit. Lajmi nuk u konfirmua nga Specialja në Hagë, megjithatë sipas raportimeve ai mund të arrijë në Kosovë të mërkurën. Por, çfarë thotë Rregullorja e Procedurës dhe Provave e Gjykatës Speciale rreth lirimit me kusht?
Vendim publik nuk ka. Gjykata Specialja nuk ka bërë ndonjë konfirmim. Megjithatë, sipas deklaratave nga Organizata e Veteranëve të Luftës dhe zyrtarë të tjerë, Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë aprovuar kërkesën Hysni Gucatit për lirim të parakohshëm me kusht.
Në rregulloren për procedura e prova të Gjykatës Speciale, kapitulli 12 flet për vendimin për uljen e dënimit dhe kriteret që duhet të merren parasysh.
Kriteri kryesor është që i burgosuri ta ketë kaluar 2/3 të dënimit, që në rastin e Gucatit kjo është plotësuar. Kurse, kritere të tjera janë sjellja në Qendrën e Paraburgimit, rrethanat personale si gjendja shëndetësore, pesha e veprës penale dhe detaje të tjera.
“Në këtë rishikim, Kryetari merr në shqyrtim: (a) nëse sjellja e personit të burgosur gjatë kohës së burgimit tregon një shkëputje të vërtetë nga vepra penale që ka kryer; (b) nëse personi i burgosur ka treguar shenja rehabilitimi; (c) gjasat e rishoqërizimit dhe riintegrimit të suksesshëm të personit të burgosur; (d) peshën e veprës penale ose të veprave penale për të cilat është shpallur fajtor personi i dënuar; (e) trajtimin e të burgosurve të tjerë në rrethana të ngjashme; (f) nëse lirimi i personit të burgosur do të shkaktonte paqëndrueshmëri shoqërore të konsiderueshme; (g) çdo bashkëpunim thelbësor të personit të burgosur me Prokurorin e Specializuar; (h) ndihmën e dhënë vullnetarisht nga personi i burgosur për të mundësuar zbatimin e aktgjykimeve dhe urdhrave të Dhomave të Specializuara për çështje të tjera dhe veçanërisht dhënien e ndihmës për gjetjen e pasurive objekt i urdhrave për pagim gjobe, konfiskim ose zhdëmtim dhe që mund të përdoren në të mirë të viktimave; (i) çfarëdo veprimi të rëndësishëm të ndërmarrë nga i burgosuri në të mirë të viktimave, si dhe çfarëdo pasoje për viktimat dhe familjet e tyre si rezultat i uljes së dënimit; (j) rrethanat personale të personit të burgosur, ndër të cilat përkeqësimi i gjendjes fizike ose mendore apo mosha e thyer”, thuhet në Rregulloren për Procedura dhe Prova, raporton Nacionale.
Nëse kërkesa për lirim të parakohshëm refuzohet, atëherë kryetarja e Gjykatës Speciale s’trajton kërkesë të tillë për 3 vitet e ardhshme. Në rastin konkret, bazuar në raportime, nëse Nasim Haradinajt nuk i është aprovuar kërkesa, atëherë duhet të kalojnë tri vjet që një gjë e tillë të trajtohet sërish. Gjë që në fakt bëhet e pamundur, pasi deri atëherë Haradinaj potencialisht e përfundon komplet dënimin.
Por, cila është procedura që ndiqet në lirimin me kusht apo të parakohshëm?
“Për zbatimin e rregullës 196(3) dhe për çdo rishikim sipas rregullës 196(5), Kryetari mund të mbajë një seancë. 2Kryetari dëgjon personin e burgosur dhe mbrojtësin e tij të specializuar, Prokurorin e Specializuar, shtetin ku i burgosuri vuan dënimin, dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtësin e viktimave. 3Seanca mund të kryhet me anë të videokonferencës ose, në rrethana të veçanta dhe në varësi të Rregullores, në shtetin ku i burgosuri vuan dënimin, nga një gjykatës i autorizuar nga Kryetari”, thuhet në rregulloren e Speciales.
Pikërisht për këtë temë, Gjykata Speciale e Hagës e ka edhe një Udhëzues Pune rreth lirimit me kusht. Aty, Specialja ka renditur disa nga kushtet që duhet t’i zbatojnë të dënuarit pasi të përfitojnë nga ky lirim. Kushtet përcaktohen nga kryetarja e Dhomave të Specializuara.
“Këto kushte mund të përfshijnë: a. Garancinë se do të banojë tërë kohën në vendbanimin e specifikuar; b. njoftimin e Dhomave të Specializuara për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm; c. njoftimin e Dhomave të Specializuara për udhëtimet jashtë Kosovës ose jashtë shtetit të banimit; d. paraqitjen e rregullt në stacionin e policisë në vendin ku banon; e. që personi i dënuar të mos kontaktojë apo komunikojë me dëshmitarët ose viktimat; f. që personi i dënuar të mos bëjë deklarata publike në lidhje me Dhomat e Specializuara të cilat mund t’u shkaktojnë viktimave frikë për të bërë kërkesë për pjesëmarrje në procese, apo t’u shkaktojnë njerëzve frikë për të bashkëpunuar, ose t’i bindin dëshmitarët që të mos japin dëshmi para Dhomave të Specializuara; g. që personi i dënuar të mos shkelë asnjë urdhër të Dhomave të Specializuara; h. që personi i dënuar të mos bëjë komente ose sjellje të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj dëshmitarëve ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, ndaj zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të Zyrës së Prokurorit të Specializuar; ose i. çfarëdo kushtesh të tjera proporcionale që gjykohen të nevojshme”, thuhet në këtë udhëzues të punës.
Vendimet sipas këtij udhëzuesi, mbeten konfidenciale deri kur ato të bëhen publike me vendim nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës. Edhe në rastin konkret vendimi ende nuk është bërë publik.
Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë.