Prishtinë– Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimi lirues ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi, i cili akuzohej se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë të hënën kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Beka tha se nuk është provar se i akuzuari Veliqi ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Fitim Veliqi akuzohej se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Të ngjajshme
Në aktakuzë thuhet se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.