Rodrygo, ylli i ri i Real Madridit, mund të jetë në muajt e fundit me bardhezinjtë nëse ofertat e ardhshme nga Premierliga arrijnë të joshin si lojtarin ashtu edhe bordin e klubit madrilen.
Liverpooli është një nga klubet më të interesuara për sulmuesin brazilian, dhe thuhet se ata janë të gatshëm të ofrojnë rreth 100 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij, transmeton Gazeta Express.
Edhe pse Real Madridi nuk ka ndërmend ta shesë menjëherë, Rodrygo nuk konsiderohet i patransferueshëm, dhe oferta të tilla mund të jenë të vështira për t’u refuzuar.
Në këtë kontekst, Liverpooli e sheh Rodrygon si një zëvendësues të mundshëm për Mohamed Salah, i cili mund të largohet nga Anfield në të ardhmen e afërt.
Rodrygo, me aftësitë e tij për të vendosur balancën e lojërave dhe efektivitetin e tij në zonë, shihet si një opsion ideal për të forcuar ekipin.
Në moshën 23-vjeçare, ai ka bërë një ndikim të rëndësishëm te Real Madridi, duke shënuar 57 gola dhe dhuruar 43 asistime në 225 ndeshje, duke treguar një pjekuri të madhe për moshën e tij në garat e nivelit të lartë.