Saturday, March 15, 2025

Lladrovci: Liderët në Kosovë bëhen sikur s’e dinë që ka ndryshuar presidenti në Amerikë, lajme dëshpëruese nga miqtë e mi republikanë

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se derisa në skenën globale po bëhen ndryshime të mëdha që prej ardhjes së Donald Trump në pushtet, Kosovës iu deshën 36 ditë për t’i numëruar pak më shumë se 900 mijë vota.

Lladrovci përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se bartësit e përgjegjësive institucionale në Kosovë bëhen sikur nuk e dinë që ka ndryshuar presidenti në Amerikë.

Madje, ai ka thënë se ka marrë lajme dëshpëruese nga miqtë e tij republikanë.

“Kosova në këtë mjedis global, po merret me procesin zgjedhor. Për të numëruar pak më shumë se 900 mijë vota, institucioneve tona ju duhen 36 ditë. Mjerimi ynë flet vet.

A e ka Kosova luksin e këtyre vonesave për zgjedhje dhe krijimin e institucioneve të reja. A jemi në situatë për të bërë ndalime si shtet në këtë situatë kur shpejtësia e zhvillimeve politike është tepër e madhe.

Bartësit e përgjegjësive institucionale në Kosovë bëhen sikur nuk e dinë se ka ndryshuar presidenti në Amerikë. Nga miqtë e mi republikanë në Amerikë, ka lajme dëshpëruese përkundër emërimit të disa prej tyre në postet e rëndësishme në administratën Trump” – ka thënë ai.

Lladrovci ka përmendur se politika e jashtme e Kosovës nuk ka reaguar as kur presidenti Trump goditi ata që i ngritën aktakuzën ish-krerëve të UÇK-së.

“Politika jonë e jashtme po vonon. Ajo nuk po reagon as kur Presidenti Trump po i godet kreatorët e Akuzës kundër UÇK-së, presidentit Thaçi dhe të tjerëve. Për më keq, mungon lobimi ynë në Amerikë, sikur diplomacia jonë po pret çka me marrë së pari nga Amerika e pastaj me pa se çka do të japim.

Jemi duke u vonuar. Vizita e djalit të Presidentit amerikan në Beograd është shenjë e keqe. Epoka Trump është më e shpejt se logjika ballkanike. Institucionet tona të veprojnë shpejtë, ndryshe, historia do të kthehet sërish kundër nesh.

Pa Amerikën të cilën e prezanton aktualisht Trump, nuk do të kishte shtet të Kosovës, sipas të gjitha gjasave, me këtë mendësi, Kosova do të ketë shumë probleme. Qofsha i gabuar!” – ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer