Wednesday, August 27, 2025

Mafia e ndërtimit: Si ishin përplasur keq Dimal Basha e Liburn Aliu në Kuvend?

Sot, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes, dha dorëheqje.

Si arsye tha se është zgjedhja e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.

E pikërisht në institucionin ku dje Basha u zgjodh kryetar, para pak kohësh, kishte ndodhur një përplasje e ashpër mes të dyve.

Kjo lidhur me ligjin për ndërtimet pa leje, ku Dimal Basha e kishte akuzuar Aliun për mbrojtjen e mafisë së betonit.

“Puna kryesore e këtij ligji, unë mendoj që ky ligj e bën amnistimin e atyre keqpërdoruesve që shpesh herë janë quajtur ‘mafia e betonit’, por gjithashtu amnistimi i zyrtarëve publik që kanë lejuar degradim. Krejt ata investitor që se kanë respektu asnjë kriter por kanë betonuar dhe nuk kemi asnjë centimetër hapësirë të gjelbër, ata jo vetëm që nuk dënohen por legalizohen dhe inkurajohen që të vazhdojnë. Pse me marr leje në ndërtim e me pagu pesë euro kur ndërton me leje, po duke qenë me ndërtu pa leje dhe me shku me legalizu me dy euro”,kishte thënë në Kuvend deputeti Dimal Basha.

“Ligji thotë që qytetarët të aplikojnë për legalizim, por ata i kanë blerë ato banesa. Është investitori që duhet të mbahet përgjegjës. Duhet ndjekur ligjërisht dhe t’i kërkohet llogari për vlerën e shitjes”, kishte shtuar ai.

Kishte reaguar menjëherë edhe vet Aliu, gjithashtu me ‘kunja’ për Bashën.

“E para po filloj nga çështja a ka ndryshuar Liburni. Ky ligj në leximin e parë është votu nga Lëvizja Vetëvendosje. Në leximin e dytë, as LVV e LDK nuk e ka votu, për shkak se e ka bojkotuar asokohe PAN-in. Prandaj kur të folni, thuajeni të vërtetën e saktë. Unë kërkoj prej deputetit Basha, po ta përmendi emrin që me mujtë me repliku. Pra ju sapo thatë që Liburni ka deklaruar ndryshe, e po deklaron sot ndryshe. Atë ditë kam deklaru njëjtë sikurse sot, pra viti 2018, njëjtë e deklaroj edhe sot. Projektligj i padrejtë, por i domosdoshëm”, kishte qenë reagimi i Ministrit Aliu ndaj Bashës.

Pakënaqësi në Vetëvendosje ka shpërthyer.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje nga pozita.

Ai e ka bërë të ditur lajmin në rrjete sociale, dhe arsye është zgjedhja e Dimal Bashës kryetar i Kuvendit.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka thënë Aliu.

Liburn Aliu, kohë të gjatë nuk shihej shumë i afërt me Vetëvendosjen.

Edhe dje në Kuvend, mimikat e shumë deputetëve nuk ishin të lumtur me zgjedhjen e Bashës si kryetar i Kuvendit.

Dorëheqja e Liburn Aliut, ministër në detyrë i Infrastrukturës, ka shkaktuar tronditje.

Pavarësisht të gjithave, Aliu ishte njëri nga themeluesit e Vetëvendosjes, që kishte mbetur ende në parti.

Aliu bashkë me Albin Kurtin e Glauk Konjufcën, ishin bashkë qysh nga organizata KAN, e cila më pas u kthye në Vetëvendosje.

“Nga viti 2002 ka qenë ideja e konceptit të vetëvendosjes”, kishte thënë Aliu në emisionin DPT në T7.

“Ka qenë koncept që të e kemi pasur në të kaluarën. Kur u pata arrestuar në vitin 1997 pata thënë para gjykatësit serb se dua vetëvendojse për popullin tim. Ideja e vetëvendosjes ka qenë ajo e cila ka ndërtuar politikisht, pasi që na imponohej kjo ideja e standarteve. Na thonin plotësoni standartet që të mund të uleni në tavolinë me Serbinë, e pastaj të flitej për ndonjë status pa na pyetur ne a dëshirojmë pavarësi, bashkim me Shqipërinë apo tjetër çka”, thoshte ai.

“Shumica prej nesh i lanë edhe punët e tyre për tu marrë me organizatën. Nuk kishim fare donacione, ishim të limituar. Kujtoj se na ndihmonin edhe të blinim sprejin. Unë kisha fatin se gruaja punonte, dhe i tregova asaj se dëshiroja të angazhohem intensivisht me organizatën, dhe fatmirësisht ajo u pajtua me mua”, shpjegonte Aliu.

Ndaj tij ka filluar linçimi e sulmi nga përkrahësit e Vetëvendosjes.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer