Në zemër të qytetit të Skenderajt më 2009 ishte dhënë me koncesion prona e paluajtshme komunale në të cilën është ndërtuar objekti afaristo-banesor “Rukolli III”. Toka komunale i ishte dhënë në shfrytëzim për 40 vjet operatorit ekonomik “R & Rukolli”, në kohën kur komunën e udhëhiqte Sami Lushtaku i Partisë Demokratike të Kosovës.
Sikurse e përcakton neni 43 i Ligjit nr. 02/L-44 për Dhënien e Koncesioneve, me vendimin mbi caktimin e lokacionit dhe zhvillimin e procedurës së koncesionit nuk ishte përcaktuar afati kohor për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. Ky afat ishte përcaktuar me kontratën mes Rukollit dhe Komunës së Skenderajt. Ende pa kaluar afati prej 40 vjetësh, Komuna me një vendim tjetër, ia ka zgjatur Rukollit dhënien në shfrytëzim të tokës për 99 vjet.
Por, ky vendim i Komunës për zgjatje të afatit në 99 vjet sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është vendim i kundërligjshëm. Për faktin se MAPL u vonua mbi 15 ditë, sipas rregullores, ky vendim u konsiderua i plotfuqishëm. Mbi këtë arsye, Komuna e Skenderajt ka vendosur të mos e respektojë vendimin e organit qendror. E mospajtimet ligjore mes organit vartës dhe atij qendror do të vazhdojnë në rrugë gjyqësore, pasi MAPL tashmë e ka paditur Komunën e Skenderajt, duke kërkuar anulimin vendimit për zgjatjen e afatit nga 40 në 99 vjet.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin ““Lufta” e Ministrisë me Komunën e Skenderajt për dhënien në shfrytëzim të pronës për Rukollët”, i cili transmetohet në KTV, TVArta dhe “Betimi për Drejtësi”.