Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka konfirmuar se në mesin e përfituesve të projektit për ndërtim të shtëpive në veri janë daja i Faton Pecit, dhe vëllai i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi. Ata kanë përfituar 46 mijë euro për ndërtimin e shtëpive të tyre. MAPL nuk kishte publikuar listën e përfituesve të këtij subvencioni. Kjo ministri madje fillimisht nuk ka ofruar qasje për të parë listën e përfituesve, por që pas dy muajve ka vendosur që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së insajderit për qasje në dokumente publike.
Me 26 qershor media ka raportuar se nga thirrja e MAPL-së për ndërtimin e shtëpive, kanë përfituar persona të afërt me pushtetin.
Besim Asllani, i cili ka lidhje familjare, me ministrin Faton Peci, dhe Bashkim Hetemi, vëlla i kryetarit, Lulzim Hetemi kanë marrë fonde nga MAPL.
Ky raportim është konfirmuar pas gati dy muajve nga kjo ministri.
Ata kanë dërguar listën me emrat e personave që përfituan e që janë edhe daja i ministrit Peci dhe vëllai i Hetemit.
Nga kjo thirrje përfituan edhe 19 persona të tjerë.
MAPL tregon përfituesit
Insajderi me 18 qershor ka kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që të ofroj qasje në emrat që kanë përfituar nga thirrja për ndërtim të shtëpive.
Të njëjtit nuk kishin ofruar qasje nën arsyetimin e ruajtjes së privatësisë, ndonëse listat e përfituesve të mëhershëm ishin publikuar në web-faqen e ministrisë.
I afërmi i Faton Pecit, Besim Asllani dhe Bashkim Hetemi, vëlla i kryetarit, Lulzim Hetemi, kanë përfituar 46 mijë euro nga ministria.
Ministri Peci, personin që ka përfituar nga thirrja e MAPL-së, e ka daj.
Afërsia e tyre mund të kuptohet edhe në fotot e mëposhtme:
Peci në vitin 2023, kishte paralajmëruar se shtëpia, pranë truallit të gjyshit të tij, sërish do të ndërtohet.
Ky postim është shpërndarë edhe nga daja i tij.
Ndërsa në një postim tjetër, ministri dhe Asllani shihen se kanë dal për kafe së bashku.
“Ju tek ministrit me dal me mu“, ishte mbishkrimi i vendosur në fotografinë e tyre nga Besim Asllani.
Përveç tij, 46 mijë euro për ndërtim të shtëpisë ka marrë edhe Bashkim Hetemi, që është vëlla i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi.
Madje nga postimet në profilin e tij në “Facebook”, kuptohet se shtëpisë ia ka bërë “përhajrin”.
Ndërsa ka edhe foto familjare me kryetarin Hetemi.