Në një hapësirë në fshatin Polac të Skenderajt, që dikur ishte oborr i shkollës, deri më tani janë të vendosura vetëm disa konstrukte nga betoni.
Në të njëjtin vend para dy viteve nisi ndërtimi i fabrikës së drurit, mirëpo ajo është larg përfundimit.
Sipas ish-nënkryetarit Nuredin Lashtaku, toka iu dha në shfrytëzim grupeve të interesit, andaj edhe punimet kanë ngecur.
“E kanë dhënë pronën me 0% interes të Komunës për 99 vjet. Tash e dy vjet vetëm do betona i kanë vendosë e fabrika nuk është askund. Kështu i përvetësojnë pronat për vete edhe për njerëz të interesit të ngushtë”, tha Lashtaku.
Kryetari i Skenderajt e pranoi se ka zvarritje në punimet për ndërtimin e fabrikës që përveç përpunimit të drurit, ishte paraparë të prodhonte edhe parafabrikate të betonit.
“Ka pak vonesa, ne kemi komunikuar edhe me kompaninë dhe na është thënë se është në pritje të makinerive dhe sapo të jenë gati do të fillojnë me punime”, tha kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.
Se është në pritje të makinerive, kompania “TehnoBurimi” i kishte thënë ATV-së qysh para 9 muajve. Ndërkohë, televizioni i drejtoi pyetje përsëri kompanisë të cilës iu dha toka në shfrytëzim, por nuk pati përgjigje.
Sidoqoftë, kryetari Fadil Nura siguroi se nëse brenda një afati të arsyeshëm punimet nuk nisin, toka do t’i rikthehet përsëri komunës.
“Nëse nuk përfundon brenda një viti punë dinamike, atëherë do ta shfuqizoj vendimin”, tha Nura.
Investimet sipas zyrtarëve komunalë do të kapin vlerën e 4 milionë eurove, teksa në fabrikë do të punësohen rreth 100 banorë të fshatrave përreth.