E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Mashtrimi me subvencione: Arrestohet drejtori që i dha para klubit të tij që “nuk ekzistonte”

Një hetim i mirëfilltë i hetuesve të Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestim e tre të dyshuarve për keqpërdorimin e mijëra eurove nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Aksioni është zhvilluar në dy lokacione të ndryshme. Njëri në Prishtinë, në Federatën e Karatesë së Kosovës, ndërsa tjetri në Obiliq.

Në aksionin në Prishtinë janë arrestuar dy zyrtarë të FKK-së, N.G dhe F.M, ndërsa është duke u hetuar edhe një tjetër i dyshuar, I.K.

Ata dyshohen se në periudhën kohore 2019-2023, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS në vlerë prej 87,463.00€.

Edhe aksioni në lokacionin tjetër ka rezultuar i saktë për Policinë e Kosovës.

Siç merr vesh Paparaci, në Obiliq është arrestuar Armend Mirena, kryetar i Komisionit për Ndarjen e Granteve në Komunën e Obiliqit.

Mirena dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Ndarjen e Granteve në Komunën e Obiliqit ka ndarë subvencione në vlerë prej 9,900.00 euro klubit të basketbollit që e kishte themeluar vetë, Kb Kastrioti.

Sipas hetimeve të Policisë së Kosovës, klubi i Mirenës, Kb Kastrioti, dyshohet se gjatë kohës së ndarjeve të grandeve nuk ishte fare aktiv.

Përpos Mirenës, në aksionin në Obiliq është intervistuar edhe e dyshuara A.A, e cila kishte pozitën e monitorueses së implementimit të subvencioneve, pasi që ajo dyshohet se ka përpiluar raport të rrejshëm.

Ndaj Mirenës dhe të dyshuarës A.A rëndojnë veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konfliktit të interesit.

“Hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, pas sigurimit të informatave dhe provave, nën dyshimin se të dyshuarit A. M., (viti i lindjes 1989, mashkull kosovar), në cilësi të kryetarit të Komisionit për Ndarjen e Grandeve, në komunën e Obiliqit, ka ndarë subvencion në vlerë prej 9,900.00€ për një klub basketbolli i cili dyshohet se ka qene jo aktiv. I dyshuari ka qenë themelues i atij klubi. Kurse e dyshuara A.A., (viti i lindjes 1977, femër kosovare), si monitoruese e implementimit të subvencioneve, ka përpiluar raport të rrejshëm. Mbi bazën e gjetjeve është krijuar dyshimi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Konflikti i interesit” .Të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori, i dyshuari A. M., është dërguar në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa e dyshuara A.A., është liruar ne procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer