Thursday, October 23, 2025

Mbahet seanca ndaj zyrtarit të dyshuar për kurdisje të tenderëve në AME, ky është vendimi i gjykatës

Zyrtari i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Lulzim Bajrami i cili u ndalua për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim me procedurat e tenderëve është liruar në procedurë të rregullt.

Lajmin për vendimin ndaj tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, avokati i tij Ahmet Tahiri.

“Është liruar në procedurë të rregullt” tha ai shkurt.

Të martën Policia e Kosovës njoftoi se ka ndërmarrë masa ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim me procedurat e tenderëve. Lidhur me këtë, personi që u arrestua ishte Lulzim Bajrami.

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës zhvilluan një hetim lidhur me dyshimet për kurdisje të tenderëve.

Bajrami, që është i punësuar si zyrtar në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, dyshohet se i ka ndihmuar operatorët ekonomikë për t’u shpallur fitues në tenderë të caktuar, duke përshtatur kriteret e përcaktuara nga autoritetet kontraktuese në mënyrë të kundërligjshme.

Vlera e tenderëve në fjalë është mbi 8.8 milionë euro.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë për Express se ky institucion kishte kërkuar caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar, bazuar në nenin 175 të Kodit të Procedurës Penale.”

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer