Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ngjallur reagime të ashpra te sistemi prokurorial pas deklaratës së tij për prokurorët dhe gjykatësit të cilët pas bastisjeve në Ministrinë e Industrisë i cilësoi si ‘mbështetës të krimit’, raporton Gazeta Sinjali.
Mbrëmjen e së premtes, kryeministri Kurti përmes një videomesazhi foli për bastisjet dhe arrestimet e bujshme të dy zyrtarëve të MINT, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe të personit që njihet si i afërt i tij, biznesmenit Ridvan Muharremit. Këta të tre janë dërguar në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore.
Kurti mbrojti ministren e MINT-it, Rozeta Hajdarin, për të cilën tha se nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk bëhet fjalë për korrupsion në rezervat shtetërore. Teksa mediat, prokurorët dhe gjykatësit i cilësoi si mbështetës të krimit, duke i akuzuar se po tentojnë që ta rikthejnë në pushtet ish-kastën e vjetër politike.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”, tha Kurti më 18 gusht në një video në profilin e vet në Facebook.
Ndaj kësaj deklarate reagoi ashpër Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Përmes një komunikate për media, KPK i quajti deklaratat e Kurtit si “të pavërteta e linçuese ndaj Institucionit të Prokurorisë dhe prokurorëve të saj, të bëra mbi bazën e paragjykimeve dhe hamendësive, duke tentuar të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast.”
“KPK-ja i bënë thirrje Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij qeveritar që të përmbahen nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe rrjedhimisht nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës në përgjithësi dhe ndaj punës së prokurorëve në veçanti, duke tentuar të linçojnë publikisht çdo gjë që ka të bëjë me sistemin prokurorial dhe punën e prokurorëve të shtetit”, tha Këshilli Prokurorial.
Kujtojmë se aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.
E sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, mbi 600 mijë euro është dëmi që dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, dhe biznesmeni Ridvan Muharremi ia kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të destinuara për rezerva shtetërore.
Pavarësisht pagesave të kryera për grurë, vaj dhe sheqer te kompanitë turke dhe polake, nuk është realizuar asnjë furnizim i 200 mijë litrave vaj, 120 mijë kilogramëve sheqer dhe 52.5 tonëve grurë në Kosovë.