Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin vjetor të përformancës së Komunës së Skenderajt, ka kritikuar këtë të fundit për një agregat, sipas të cilëve, është mbivlerësuar për 10,430 euro.
Sipas ZKA-së, kjo komunë ka regjistruar një agregat të tipit “gnt 275” me jetëgjatësi prej 20 vitesh, teksa do të duhej të ishte me 10 vite. Sipas auditorit, kjo ka bërë që komuna ta mbivlerësojë këtë pajisje për 10 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
“Pajisja e regjistruar në regjistrin e pasurisë në Sistemin Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës (SIMFK) në vitin 2015 me vlerë 29,800 euro me emërtimin “Agregat gnt 275” ishte regjistruar me jetëgjatësi të përdorimit 20 vite dhe do të duhej të ishte me 10 vite. Kjo e bënë që zhvlerësimi për pasurinë të jetë mbivlerësuar për vlerën 10,430 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Rast tjetër ku është vërejtur zhvlerësim i pasurisë është me një tokë në vlerë prej shtatë mijë eurosh, me jetëgjatësi përdorimi 40 ditë. Sipas ZKA-së, kjo tokë është zhvlerësuar për 13 vite.
Problem tjetër që i ka dalë Auditorin komunës që udhëhiqet nga Fadil Nura është edhe ekzekutimi i pagesave për projekte kapitale, pa u bërë zotimi i mjeteve.
“Nga testimi i pagesave të punëve të kryera t ëprojekteve kapitale, kemi hasur në dy raste të pagesave që janë realizuar pa u zbatuar procedurat e duhura. Pra, janë kryer dhe pranuar punët dhe fatura para se të bëhet zotimi i mjeteve”, vijon raporti i ZKA-së.
Përveç tjerash, del se komuna e Nurës ka angazhuar shtatë punonjës në QKMF-së që sapo kishin dalë në pension pa procedura të prokurimit. Sipas auditorit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së mjekëve të rregullt në qendrën kryesore mjekësore në Skenderaj.
“Komuna gjatë vitit 2022 kishte të angazhuar shtatë (7) punonjës me marrëveshje për shërbime të veçanta pa zhvilluar procedura të prokurimit. Nga testimi i pesë (5) mostrave, rezulton se këto pozita ishin kryesisht për pozita të rregullta të punës si specialist i mjekësisë, pediatër dhe staf shëndetësor. Punonjësit e angazhuar ishin të sapo dal në pension të cilët më herët ishin punëtor shëndetësor në QKMF”, precizon ZKA-ja.
Auditori ka vërejtur edhe probleme të tjera, si: magnësi në menaxhimin e shpenzimeve, si dhe në Njesinë e Auditimit të Brendshëm.