E premte, 15 Nëntor, 2024

Mbrohen në heshtje babë e bir, të akuzuar për vrasjen e dyfishtë në Gradicë të Drenasit!

Në Gjykatën e Prishtinës sot ka vazhduar gjykimi ndaj Amir dhe Xhafer Bardhit, babë e bir, të akuzuar për vrasjen e dy personave, babait dhe të birit të tij 15-vjeçar në fshatin Gradicë të Drenasit. Në seancën e sotme ishte e paraparë që të jepej mbrojtja, ndërkaq të akuzuarit kanë vendosur se nuk duan të deklarohen. Gjegjësisht u mbrojtën në heshtje. Lidhur me mbrojtjen e të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokati i tij, Haxhi Millaku, tha se ai i qëndron prapa deklaratave të dhëna në fazat e mëhershme të procedurës, përveç atyre deklaratave që kanë të bëjnë me djalin e tij, të bashkakuzuarin Amir Bardhi.“Mbrojtjen sot nuk do ta paraqet, përkatësisht do të mbrohet në heshtje por mbështet deklarimet e tij të dhëna në rikonstruimin e vendit të ngjarjes, të gjitha përgjigjet në pyetjet të cilat janë bërë nga palët në procedurë dhe nga trupi gjykues, njëri i mbështet deklarimet e dhëna gjatë fazës së procedurës, në përjashtim të atyre deklarimeve që kanë të bëjnë me djalin e tij Amirin sepse thëniet e tij janë arsyetuar për shkaqe të sigurisë dhe rrezikut permanent që mund të ketë djali i tij për jetën dhe sigurinë” – u shpreh Millaku në seancë. Ndërkaq edhe i akuzuari Amir Bardhi tha se qëndron prapa deklaratave të cilat i ka dhënë në Prokurori por jo prapa atyre që janë dhënë në Polici. “Qëndroj prapa të gjitha deklaratave të cilat i kam dhënë në Prokurori si dhe në vendin ku është bërë rikonstruktimi i vendit të ngjarjes, ndërsa nuk qëndroj prapa deklaratës të cilën e kam dhënë në polici për shkak se kam qenë nën ndikim të rastit. Na vjen keq për këtë ngjarje që ka ndodhë” – tha Amir Bardhi. Trupi gjykues në këtë çështje penale është në përbërje prej Agim Kuqit – kryetar, Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi – anëtarë.Ndërkaq lidhur me dhënien e fjalës përfundimtare palët njëzëri u pajtuan që dhënia e tyre të shtyhet për një seancë të ardhshme.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 4 tetor. Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 5 prill 2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës, ku udhës kishin takuar të dëmtuarin V.M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V.M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”. Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën ku të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij. Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B.M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë. Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer