E enjte, 14 Nëntor, 2024

“Me urdhër të Kurtit”: Momenti kur ndodhi “incidenti” mes deputetëve të VV-së në Kuvend

Deputeti i VV-së, Haki Abazi e ka përjetuar një tjetër episod të pakëndshëm sot në Kuvendin e Kosovës dhe i cili ai pretendon se është orkestruar nga Mimoza Kusari Lila. Çka ndodhi mes deputetëve të VV-së?

Abazi njoftoi në Facebook për atë që e quajti “incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvend” duke treguar me fjalët e tij se çka ndodhi.

“Kur shkova te ulësja në Kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelën time nga aparati, dhe afër tij kishin zhvendosur Salih Zybën.” – tha ai.

Nacionale ka parë pamjet nga Kuvendi i Kosovës, dhe të cilat dëshmojnë atë që e thotë z. Abazi.

Fillimisht në Kuvend mund të vërehet një koncentrim i shtuar te ulësja ku është ulur Salih Zyba, e ku nuk ulej rëndom. Atje afrohet deputetja Fitore Pacolli.

Më pas, pamjet e tregojnë deputetin Muzaqi që diskuton me znj. Mimoza Kusari Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së.

Pasi flet me znj. Kusari, Muzaqi ulet afër Salih Zybës që sipas Haki Abazit po e luante rolin e përforcuesit (truprojës) së tij për t’i marrë ulësen atij.

Më pas, Zyba largohet përkohësisht dhe në vend të tij – duket se pa kuptuar gjë – ulet Ardian Gola. Ndërkohë, Muzaqi është ende i ulur në ulësen e z. Abazi.

Të dy, edhe Haki Abazi por edhe Salih Zyba afrohen në të njëjtën kohë te ulëset problematike. Zyba i zë vendin Ardian Golës, ndërsa përkohësisht edhe Besim Muzaqi i lëshon vendin Haki Abazit. Fatkeqësisht, nuk mund të dëgjohet se çka diskutojnë deputetët mes vete në atë që Abazi e quajti “incidenti i radhës”.

Edhe në seancën e fundit plenare, Salih Zyba i kishte penguar deputetit Haki Abazi gjatë fjalës së tij në foltore të Kuvendit të Kosovës.

“Ne kena mujtë me i nda rrugët por rrugën s’mujna me ia ndalë njëri-tjetrit… Mos ke dashtë me e provu picën e PDK-së?” – i kishte thënë z. Zyba, që i kishte ndërhyrë edhe në fjalë.

“Kur të vjen puna me hangër pica të PDK-së, besoj që shihemi tjetërkund.” – ia ktheu Abazi duke i thënë mes tjerash edhe “të lutem mshele gojën,”

Përveç kësaj, z. Abazi i kishte thënë Zybës edhe këto fjalë në lidhje me disa largime që kishin ndodhur:

“Tani z. Zyba që duket se jeni emëruar si emisar për të kundërshtuar e për të bërë zhurmë, unë kisha dashtë ty me të dëgju duke folë për çështjen e znj. Çavdërbasha si zëvendësministre, se si dhe për çfarë është larguar nga vendi i punës. Për znj. Tropika Agaj, po ashtu që ti nuk e ke thanë asnjëherë asnjë fjalë, e për znj.Valëza Mjeku. Do të thotë janë tri femra që janë largu nga pozitat e tyre pa u thënë asnjëherë asnjë fjalë,”

Abazi ka shprehur tash e shumë kohë pakënaqësi në lidhje me Qeverinë Kurti dhe sidomos me shefen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusarin. Ai është larguar edhe nga pozita e kryetarit të Komisionit për Politikë të Jashtme.

Kujtojmë se Haki Abazi ka deklaruar që një gjë e tillë mund të ketë ndodhur me urdhër të Kurtit për shkak të dëshpërimit nga Brukseli. Në Bruksel Kurti mbrëmë ka negociuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Pamjet e gjithë asaj që ndodhi i keni në minutat e parë të videos së mëposhtme:

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer