Komuna e Drenasit i ka dhënë prej afro 150 mijë euro tender “Fer Petrolit” me pronar Mehdi Gjokën. Ky është tender i tretë brenda këtij viti që merr kjo kompani në këtë Komunë. Ky biznesmen njihet për afërsinë me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovcin. Gjoka ishte arrestuar në vitin 2022 nën dyshimet se i kishte vjedhur buxhetit të shtetit 600 mijë euro me disa biznese të tjera, shkruan insajderi.
Komuna e Drenasit ka nënshkruar kontratën me 13.10.2023 me “Fer Petrolin”. Kjo kontratë ka të bëj me me rregullimin e tregut në Drenas.
Vetëm një javë pas nënshkrimit të tenderit të fundit, Lladrovci e Gjoka kanë ‘festuar’ së bashku me nga një kafe.
Në një foto të publikuar në “Facebook”, shihet kryetari i Drenasit përball Mehdi Gjokës, pronarit të “Fer Petrol”.
“Fer Petrol” përfitues i dy tenderëve të tjerë në këtë Komunë
Biznesmeni nga Drenasi, Mehdi Gjoka ishte vënë në pranga të policisë me 18 mars 2022 nën dyshime për shmangie taksash dhe manipulim me çmime të derivateve.
Komuna nuk është ndalur me dhënien e tenderëve për biznesmenin e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës edhe pas dyshimeve se ka shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit.
Në maj të 2023 Komuna e Drenasit kishte dhënë edhe dy tenderë për të.
Tenderin e parë qe e ka nënshkruar kontratën “Fer-Petrol” me komunën e Drenasit është e datës 30.05 2023, ku vlera e përgjithshme e kontratës është 329 mijë euro.
Pra kjo kompani ishte shpallur fituese si grup i OE së bashku me kompaninë “N.N.SH World Medium” .
Një ditë më pas ishte nënshkruar edhe kontrata tjetër, sërish përfitues ‘Fer Petrol’.
Kontrata në vlerë prej 248 mijë euro iu dha për asfaltimin e rrugëve në fshatin Verbovc, Shtuticë, Polluzhë dhe Asfaltimi i rrugës në fshatin Terstenik l, ll dhe Gllobar.
Kush është Mehdi Gjoka?
Dogana e Kosovës me 18 mars 2022 kishte kontrolluar kompanitë HIB Pertrol, Fer Petrol-in dhe Alfa Trade-in, nën dyshime për shmangie taksash dhe manipulim me çmime të derivateve.
Doganierët kanë gjetur se këto kompani ka nxjerrë në shitje për qytetarët derivatet e naftës të parapara për ambasadat në Kosovë. Derivatet e naftës të parapara për nevojat e ambasadave janë të liruara nga akciza.
Sipas Doganës, dyshohej se këto HIB Pertrol, Fer Petrol-in dhe Alfa Trade-ini kanë shkaktuar dëm shtetit të Kosovës në vlerë prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit.
Nga ky aksion në pranga të policisë kishte rënë edhe biznesmeni nga Drenasi, Mehdi Gjoka, pronar i kompanisë ‘Fer Petrol’.
Ky biznesmen ka triumfuar në secilin tender që ka aplikuar në Komunën e Drenasit.
Brenda 15 muajve (shtator 2018 – nëntor 2019) i ka fituar 20 tenderë, në shumën totale prej 1 milion e 522 mijë euro. Kontratat e fituara nga kompania “Fer Petrol” janë kryesisht për mirëmbajtje dhe ndërtim të rrugëve.
Gjoka kishte përfituar tenderë nga Komuna e Drenasit edhe para se Lladrovci të bëhej kryetar. Në kohën kur Drenasi udhëhiqej nga Nexhat Demaku.
Përpos tenderëve nga pushteti i Demakut, ai kishte përfituar mundësinë e shfrytëzimit të një parcele komunale të rëndësishme.
Komuna e Drenasit ia kishte dhënë në shfrytëzim dhjetëvjeçar pronën komunale kompanisë “Fer Petrol” për ndërtimin e një pike të shitjes së karburanteve.
Pronën në të cilën është ndërtuar pompa e derivateve, Gjoka e kishte futur nën menaxhim pa asnjë konkurrent. Kështu për dhjetë vjet ka fituar të drejtën e pronësisë mbi këtë parcelë.
Por, për këtë përfitim të pronës Gjokës i kishte dalë punë me drejtësinë, shkruan Insajderi.
Më 16 nëntor të 2016, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj afaristit nga Drenasi, Mehdi Gjoka me dyshimet se ka uzurpuar pronën, në të cilën kishte ndërtuar kompaninë e tij për shitjen e derivateve ‘Fer Petrol’
Sipas aktakuzës, Gjoka, si pronar i pompës së benzinës ka uzurpuar pronën e H.B. dhe ka ndërtuar në pronën e tij biznesin e derivative.
Mehdi Gjoka ishte akuzuar për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, ku nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.
Prokuroria e Shtetit, pas mbajtjes së seancave, ka propozuar që Mehdi Gjoka, të shpallet fajtor dhe të dëbohet nga prona e uzurpuar.
Po ashtu, Mehdi Gjoka ishte shpallur fajtor për kanosje gjatë monitorimit të rivotimit në zgjedhjet e mbajtura më 9 janar 2011. Në cilësinë e vëzhguesit, ai kishte kërcënuar një vëzhguese të Rrjetit Ballkanit për Gazetari Hulumtuese.
Gjykata Komunale e Drenasit kishte shqiptuar dënimin prej 2 muajsh me burg, mirëpo Gjoka kishte vendosur që dënimin ta paguaj me gjobë prej 900 euro.