Vjedhjet e çantave të dorës e kuletave ndodhin shumë shpesh në vendin tonë, qoftë në rrugë apo restorante e lokale të ndryshme. Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin dhe të shpëtojnë nga prangat e Policisë. Gjatë sezonit të verës, cak jo rrallëherë hajnat i kanë edhe bashkatdhetarët, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Drenas dhe u denoncua nga një mërgimtar, i cili kërkoi ndihmën e Policisë, pasi dikush ia vodhi kuletën nga vetura.
Sinjali mëson se viktima ka raportuar se në kuletën që ia ‘avulluan’, ka pasur mbi 7 mijë euro, pasaportën e Danimarkës dhe dokumente tjera personale.
Mërgimtari ka deklaruar në Polici se vetura ka qenë e parkuar në parkingun e një restoranti, kur hajnat kanë kryer vjedhjen.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e të dyshuarve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.