E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Mesazhet: Dejona Mihali vendos kur të ndalet rryma në Kosovë, e kur jo

Dejona Mihali me pozitë koordinatore e komiteteve në Vetëvendosje, pa asnjë pozitë shtetërore e as drejtuese në korporatë vendos se kur të ndalet rryma, e kur jo në Kosovë. Qysh? Anipse nuk ka asnjë kompetencë formale ajo i jep urdhër Nagip Krasniqit, ish-Kryeshefit të KEK-ut, që rryma të mos ndalet në ditë të caktuara. Pas kësaj, ajo ia jep Krasniqit edhe një leksion se si duhet t’i mbaj në kontrollë burimet e informacionit, “sidomos ata të ndërrimit të natës”.

Urdhëri për dritat

Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime”, i drejtohet Mihali ish-Kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale. Madje përveç kësaj, ajo ia shton edhe një “fare” në fjali, duke ia bërë të ditur Krasniqit, se për ato ditë të caktuara nuk duhet të ketë fare reduktime.

Mihali urdhëron Krasniqin ta kontrolloj “sidomos ndërrimin e natës në KEK”

Pas urdhërit që Mihali ia jep Krasniqit që të mos ketë reduktime, pason një bisedë tjetër; ajo ia jep një leksion se si duhet të kontrollohen sinjalizuesit.

Duke ia dërguar një informacion që kishte dalur nga KEK-u, Mihali i kërkon llogari Krasniqit, se përse po dalin informacione nga Korporata e ky i fundit nuk po i di.

Krasniqi për t’u “shfajësuar” i thotë se “s’duhet të merremi me thashetheme”, derisa Mihali ia kthen me një leksion: “vërtetësia është tjetër gjë, burime të tjera të infos çka ngjan aty në vend të ngjarjes është me rëndësi, të marrim masa, të kesh njerëz që të njoftojnë paralelisht, ata që janë në ndërrim kryesisht natën.”

A po vjen? Me kapelë”: Dejona Mihali urdhëronte Nagip Krasniqin të shkojë në takim i maskuar

“A po vjen te ne…me kapelë :)”.

Kështu i drejtohet me ftestë për takim në seli të Vetëvendosjes Dejona Mihali – formalisht Koordinatorja e Komiteteve Profesionale në Vetëvendosje – ish-Kryeshefit të Korporatës Energjetike (KEK), Nagip Krasniqit, tash të arrestuar dhe me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për dyshime të dëmtimit të buxhetit të shtetit për mbi 3 milion euro.

Nacionale ka siguruar komunikimet e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin në platformën “Signal” – ku përkthehet një tablo udhëzimi e menaxhimi nga Mihali ndaj Krasniqit se çka të bëjë e çka jo.

Mihali qe intervistuar nga Prokuroria Speciale javë më parë mu për këto komunikime. Pretendoi se u intervistua nga prokuroria “për ta zbardhur të vërtetën”:

Por, e vërteta del të jetë që Krasniqi del të ketë qenë i udhëzuar skajshmërisht nga Mihali, e cila i kërkon llogari, pyet, dërgon, informon për gjëra në lloj-lloj sferash: prej atyre energjetike e politike.

Të kthehemi te mesazhi i sipërm, kur Mihali e fton në objekt të Vetëvendosjes: por, ia bën me dije që të shkojë i kamufluar: “…me kapelë” të cilës ia shoqëron edhe një ‘smajll’.

Dejona Mihali i kërkon takim Nagip Krasniqit:

Mihali: “Po duam të të takojmë me Gazmendin. Kur mundemi?”

Krasniqi: “Të shtunën?”

Mihali: “Të shtunën kam këshill, të pretem në pasdite/mbrëmje?”

Krasniqi: “Jam në Vjenë. Kthehem nesër. Të premten kam mbledhje të bordit tërë ditën”.

Mihali: “Të dielën në 12:00”

Krasniqi: “Në rregull”

Mihali: “A po vjen te…me kapelë J”

Krasniqi: “Hahahha. Vij”.

Mihali: “Ok.”

Krasniqi: “Shihemi”.

Mihali: “Shihemi”.

Komunikimi për Martin Berishajn

Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.

Në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.

Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.

Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.

Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.

“Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat të cilat i ka siguruar Nacionale.

Ajo që mbrohej me kërshëri nëpër media nga zyrtarët e pushtetit, del se nuk amnistohej edhe në komunikimet private.

Pra, Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.

Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.

Pas artikullit të parë, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.

Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.

Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihalit e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.

“A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, ia shkroi Dejona Mihali.

“Jo. Skam nerva”, ia ktheu Nagip Krasniqi.

Dejona Mihali, komisarja e VV-së, më pas vazhdon me kërkesa të qarta duke kërkuar shpjegime.

“Na nevojiten shpjegimet. Jo vetëm ne, por edhe Artanes”, thuhet në mesazhin e Mihalit.

“Dërgoni pyetjet”, ishte mesazhi tjetër i Nagip Krasniqit.

“Si urdhëron” ia kthen Mihali, mesazh i cili përcillet me pak humor “hahaha” nga Nagip Krasniqi.

Se Dejona Mihali ishte e përfshirë në secilin detaj e secilin veprim që ndërmerrej brenda KEK-ut, e konfirmon edhe një tjetër mesazh.

Mihali ia përcjell Krasniqit një link i cili flet për kryetarin e Sindikatës së KEK-ut. Aty, Mihali e pyet Nagip Krasniqin nëse kanë kontakte me këtë person.

“A mbani kontakte me këta a hiç”, pyet Mihali.

Për këtë përfshirje të Mihalit, ajo ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Pas intervistimit, Mihali kishte deklaruar se “u ftua për ta zbardhur të vërtetën”.

Nacionale sot gjatë ditës dhe nesër do të vazhdojë me publikimin e mesazheve të tjera ku është e përfshirë Dejona Mihali dhe Nagip Krasniqi.

Si pyetej për gjithçka Dejona Mihali nga Nagip Krasniqi?

Në cilat punësime ishte e përfshirë Dejona Mihali dhe kryeministri Kurti?

Si kamuflohej Nagip Krasniqi për të shkuar në zyret e VV-së për të diskutuar për këto tema?

Si e ofendonte Dejona Mihali Lidhjen Demokratike e Kosovës?

Si vendoste Dejona Mihali kur do të kishte reduktime të rrymës?

Të gjitha këto do të publikohen gjatë ditës.

Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, dyshohet nga Prokuroria Speciale për shpërlarje parash.

Për këtë ai ishte intervistuar muaj më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer