Thursday, July 3, 2025

Miliona euro borxh, Trepça pagoi 104 punëtorë në të zezë, pa deklarim dhe pa dokumente të Kosovës

Ndërmarrja “Trepça” Sh. A. i ka borxh shtetit të Kosovës hiç më pak se mbi 14 milionë euro. Që nga viti 2020 kjo ndërmarrje nuk i ka paguar tatimin në paga për punëtorët, as kontributet, e as gjobat. Në muajin korrik të vitit 2024, punëtorët e njësisë në Stanterg nuk u deklaruan fare në ATK. Njashtu edhe në Leposaviq gjendja ishte e njëjtë, punëtorët nuk ishin deklaruar sepse nuk kishin dokumente të Kosovës. Bëhet fjalë përreth 104 punëtorë në Leposaviq, pagat e të cilëve nuk u deklaruan fare në shtet.

“Ndërmarrja, tek detyrimet e tjera afatshkurtra kishte prezantuar tatimin në paga i pagueshëm 2,971,559€, kontributi i pagueshëm 9,832,239€, interesi dhe ndëshkimi i pagueshëm në tatim dhe kontribute në vlerë 1,586,605€. Vlen të theksohet që ndërmarrja që nga viti 2020 (përjashtimisht ishin rregulluar nga ATK në vend të rimbursimit për nëntë (9) muaj të vitit 2022) nuk kishte bërë pagesën për kontributet dhe tatimin në paga për punonjësit e saj, rrjedhimisht nuk janë paguar edhe interesi dhe ndëshkimet në tatim dhe kontribute”- konstatoi Auditori.

Gjithashtu, për muajin korrik 2024 nuk ishin përfshirë në deklarimet në ATK punonjësit e Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça Stanterg.

Tutje, në Leposaviq Auditori evidentoi mospërputhje në numrin e punëtorëve, pasi disa prej tyre nuk posedonin dokumentacion të Kosovës dhe për këtë arsye nuk mund të regjistroheshin në ATK. Pra përreth 104 punëtorë ndërmarrja nuk kishte deklaruar në ATK tatimet në pagë.

Sipas ZKA-së, mos kryerja e pagesave për kontributet dhe tatimet ndaj punonjësve ndikon në rritjen e obligimeve ndaj punonjësve dhe ATK-së dhe krijon detyrime shtesë nga ndëshkimi, interesi dhe paditë të cilat shkaktojnë në vazhdimësi rritje të këtyre borxheve.

Në përputhje me kërkesat ligjore, çdo punëdhënës ka detyrimin të mbajë tatimin në burim nga pagat e punonjësve dhe ta transferojë atë në llogarinë e Administratës Tatimore të Kosovës [ATK], brenda afatit 15 ditor pas përfundimit të muajit. Po ashtu, punëdhënësi duhet të zbresë dhe të bartë kontributet pensionale, si ato të punonjësve ashtu edhe të tijat, në fondin pensional, duke respektuar afatin e përcaktuar nga ATK-ja. Këto janë detyrime të përcaktuara me Ligj.

Bordit të kësaj ndërmarrje ju rekomandua të ndërmerren masa dhe të shlyhet borxhi.

“Bordi Mbikëqyrës duhet të marrë masat e menjëhershme për shlyerjen e obligimeve ndaj punonjësve dhe ATK-së në mënyrë që të shmanget rritja e vazhdueshme e kostove shtesë që rrjedhin nga këto obligime, si dhe të trajtoj rastet e punëtorëve të pa deklaruar”- rekomandon raporti.

Menaxhmenti i Trepçës u pajtua me gjetjet e Auditorit.

Kujtojmë se rreth dy javë më parë [16.06.2025] KALLXO.com raportoi se punëtorët e Flotacionit dhe ata të Sigurimit teknik në Minierën e Trepçës në Stantërg nuk i kanë marrë pagat e muajit maj 2025.

Kështu thuhej në reagimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, të cilët vijnë me një sërë kritikash drejtuar Qeverisë, bordit e menaxhmentit siç patën thënë për këtë kaos dhe mungesë totale të organizimit.

Sindikalistët kanë thënë se institucionet e lartpërmendura nuk po e mbrojnë interesin e punëtorëve, përkundrazi siç thotë ata “po i shtyni në skaj të durimit me vonesat, ndarjet selektive të pagave dhe kushte çnjerëzore të punës”.

Rreth Trepçës

Trepça është njohur si një vendburim xeheror që nga periudha romake, megjithatë shfrytëzimi industrial i saj filloi realisht në vitin 1927 me ardhjen e kompanisë britanike “Trepça Mine Ltd”.

Prodhimi i rregullt nisi në vitin 1930, duke e shndërruar këtë kompleks në një nga shtyllat kryesore të industrisë nw vend. Në dekadat që pasuan, u ndërtuan kapacitete të shumta si: shkritore, fabrika të akumulatorëve, telave, argjendit dhe zinkut të shpërndara në qytete të ndryshme të Kosovës.

Pas vitit 1989, Trepça përjetoi një rënie të ndjeshme, kryesisht si pasojë e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë. Kjo ndërhyrje çoi në largimin e punëtorëve shqiptarë dhe shfrytëzimin e pasurive të saj pa respektuar standardet, duke rezultuar në procese të deindustrializimit të ndjeshëm.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërmarrja Trepça kaloi nën administrimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit [AKP] me status të padefinuar. Në nëntor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës e shpëtoi Trepçën nga likuidimi me nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, me ç ‘rast e transformoi Trepçën në shoqëri aksionare.

80% të aksioneve të kësaj korporate janë pronë e Qeverisë së Kosovës dhe 20% të aksioneve në pronësi të punëtorëve të Trepçës. Në kuadër të procesit të transformimit dhe ristrukturimit me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillimin e Trepçës, ligji i jep të drejtën aksionarëve që në një periudhë të afërt të krijojë mundësi për të qenë atraktiv për investues privatë vendorë dhe të jashtëm, duke aplikuar format si: Partneriteti Publiko-Privat; investime direkte private; investime të përbashkëta; si dhe emetimi dhe shitja e aksioneve.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer