Friday, January 16, 2026

“Ministra e kryetar të komunave nën hetim”, zëvendëskryeprokurori i Speciales: Po trajtojmë 390 raste të korrupsionit

Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, ka bërë të ditur se Departamenti për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar po trajton 390 raste të dyshimta për korrupsion të nivelit të lartë, duke përfshirë ministra, kryetarë komunash dhe drejtorë të agjencive qeveritare.

“Sipas statistikave, në fund të vitit 2025 numri i rasteve aktive në departament është 390. Të gjitha këto raste lidhen me korrupsion në nivele të larta, duke filluar nga presidenti deri te zyrtarët kryesorë administrativë në institucionet e vendit,” ka thënë ai në KTV.

Ai ka theksuar se Departamenti për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar, i cili punon me vetëm 11 prokurorë, ka treguar efikasitet të lartë në kryerjen e rasteve, megjithëse numri i rasteve të pranuara vazhdon të rritet nga viti në vit.

“Sipas Ligjit për Prokurorinë Speciale, ky departament trajton vetëm rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, që përfshijnë veprime penale të zyrtarëve më të lartë të shtetit, duke përfshirë kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, deputetët, kryetarët e komunave, drejtorët e agjencive kryesore, udhëheqësit e prokurimeve dhe zyrtarët kryesorë administrativë,” ka shtuar Gashi.

Duke folur për rastet konkrete, ai ka konfirmuar se disa ministra dhe kryetarë komunash aktualisht po hetohen, së bashku me drejtorë të institucioneve qeveritare.

Gashi ka vlerësuar se për të rritur edhe më shumë efikasitetin e Departamentit, do të ishte e nevojshme të shtohen pesë prokurorë të tjerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer