E enjte, 14 Nëntor, 2024

Mjekut të arrestuar për “marrje ryshfeti” i caktohet masa e arrestit shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak mjekut i cili dyshohet për “marrje të ryshfetit”.

Për këtë rast gjyqtarja e procedurës paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.D dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

“Masa e arrestit shtëpiak të pandehurit S.D i është caktuar në harmoni me nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 lidhur me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të KPPRK-së, ndërsa konform nenit 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, në rast të mosrespektimit të masës së arrestit shtëpiak, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit kundër të pandehurit S.D”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa, kundër këtij aktvendimi është thënë se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kurse, mjeku S.D është arrestuar të hënën me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Përmes raportit 24 orësh të Policisë, ishte thënë se nga Policia janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular dhe pajisje mjekësore.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit. Nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shume e te hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore”.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim 24 orësh të Policisë.

Edhe, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka reaguar pas arrestimit të një mjeku të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

ShSKUK, përmes një komunikate për media është shprehur se shkelësit e ligjit nuk kanë vend në këtë institucion.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin se një mjek është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, marrje e ryshfetit. Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”.

“Shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore”.

Lajmin për arrestimin e mjekut e kishte bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke thënë se ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje penale.

”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Më 30 prill, një anesteziolog dhe një kirurg u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti e vërtetoi edhe një herë që ryshfeti është fenomen shumë i pranishëm në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Për dy mjekët të cilët u arrestuan me 30 prill, Gjykata Themelore në Gjilan kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer