Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të kanosjes serioze që ndodhi brenda stacionit policor në Prizren, por që i parapriu një incident ku i dyshuar është një 34-vjeçar. I riu, që dyshohet se kërcënoi me vrasje një zyrtar policor, fillimisht u ballafaqua me Policinë që e ndoqi qindra metra, derisa e kapën në një rrugë të qytetit.
Por kush është i dyshuari dhe cilat janë detajet tjera të rastit?
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuar për këtë rast është Valmir Susuri, 34-vjeçar, recidivist i veprave të ndryshme penale, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Susuri, i cili ishte në gjendje të dehur fillimisht u urdhërua që të ndalej në një pikë kontrolli, por përveç që shpërfilli Policinë, ai edhe rrezikoi jetën e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
I riu rriti shpejtësinë e lëvizjes duke tentuar që të ikë, por Policia arriti ta ndalojë pas qindra metrash ndjekjeje. Ai bashkë me dy miq të tij tentuan sërish të ikin, por zyrtarët policorë i futen nën kontroll.
Sinjali ka siguruar edhe pamjet e momentit kur i dyshuari është ndaluar nga Policia dhe shihet i prangosur në tokë. Në videon e dërguar nga sinjalizuesi dëgjohet i dyshuari teksa flet me zë të lartë dhe iu drejtohet policit me “qiky…”, teksa ky i fundit ia kthen “Shuj”.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari ka vazhduar me të njëjtat sjellje dhe ka eskaluar deri në atë pikë sa e ka kërcënuar me vrasjenjërin nga zyrtarët policorë.
Kanosja serioze ndaj policit i kushtoi atij me ndalim, pasi Prokurori i Shtetit urdhëroi që i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.
Sinjali mëson nga burimet brenda Prokurorisë se Susuri është emër i njohur për Policinë, për shkak të historisë së tij të pasur me vepra të ndryshme kriminale.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë.