E shtunë, 5 Tetor, 2024

Musa: Osmani po i zbaton urdhrat e Kurtit, ka ndërhyrë në Këshillin Prokurorial

Avokati Skender Musa ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërhyrë në pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) duke mos e dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror.

Ai ka deklaruar të mërkurën në “60 Minuta” se Osmani po i zbaton urdhrat e kryeministrit Albin Kurti, duke shtuar se ajo “s’ka mendim të vetin”.

“Presidentja ka ndërhyrë në pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këshilli Prokurorial s’duhet të shkojë me inate politike, por mendoj se duhet të shpallë konkurs të ri dhe të zgjedh kandidatin më të mirë pa paragjykuar a është Blerim Isufaj. Presidentja po i zbaton urdhrat e kryeministrit, s’ka mendim të vetin. Jam i bindur se prapë do të jetë e njëjta bllokadë, ose do të vazhdojë KPK-ja të jetë me ushtrues detyre”, ka thënë Musa.

Sipas avokatit, Këshilli Prokurorial i Kosovës s’duhet të veprojë me inate, por të ofrojë zgjidhje duke shpallur konkurs transparentë dhe t’i evitojë shkeljet që janë evidentuar nga ambasadat e huaja.

Musa ka shtuar më tutje se Osmani s’ka dhënë vendim për dekretim por vetëm njoftim, e kjo sipas tij, ishte e qëllimshme që të mos ketë hapësirë për t’u dërguar procesi në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa, duke folur për procesin e vettingut, Musa është shprehur se ekziston rreziku i marrjes së sistemit të drejtësisë nën kontrollin e politikës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer