Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, Lulzim Kabashi, ka kërcënuar stafin e mediumit lokal ‘RTV Besa’.
Për këtë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin e mediumit ‘RTV Besa’, Muhame Fusha, t i cili ka njoftuar se Kabashi ka gjetur rrugë alternative për t’u futur në redaksinë e mediumit.
Sipas Fushës, ish-kryetari i AAK-së ka përdorur fjalë të rënda dhe kërcënuese në drejtim të stafit.
“Zotëriu në fjalë ka shiku me hy brenda në televizion, dera ka qenë mbyllë. E ka gjete një hyrje nga lokali që është i vëllait, ka hyrë nga aty dhe ka shkuar naltë tek punëtorët për një lajm që e kemi publiku. Ai lajm është publikuar nga të gjitha mediumet. Ka thënë ku është drejtori, ka kërkuar edhe stafin të tjerë, veç dy punëtorë kanë qenë. Ka fillu me shamje me kërcënime që s’përdoren… Ka thënë “Do të vras e do t’ju mbys, do t’ju prej kokat, pse e keni postu?”, ka bërë të ditur ai për Insajderin.
Fusha ka bërë të ditur se Kabashi ka shkuar në redaksinë e ‘RTV Besa’ edhe pas dy orësh.
“Personi ka ardhë edhe pas dy orësh, ora katër ka qenë, me një fjalor shumë kërcënues dhe ka bërtit. Pas 10 minutave ka dalë dhe më ka thënë se le të më kontaktojë edhe drejtori. Nja një ditë s’kanë mujtë me e zënë, nuk ia hapte telefonin policisë. Unë u interesova edhe një herë, i pyeta policinë se a ka ndonjë gjë dhe më thanë jo, s’po mundemi me u qasë. Punëtorët ishin frikësu shumë”, tha ndër të tjera drejtori i mediumit.