Për sezonin 2021/22, Julian Nagelsman pasoi Hansi Flik te Bajern Mynih. Në mars 2023 ai u lirua nga bavarezët gjatë pushimit ndërkombëtar. Me një normë fitoreje prej 71.4 për qind, Nagelsman ishte trajneri i katërt më i mirë në historinë e Bajernit për sa i përket pikëve në Bundesligë.
kahn nagelsman
Në një intervistë, 37-vjeçari tani reflekton për kohën e tij me rekordmenët gjermanë: “Le ta themi kështu, bëra gabime, por mendoj se edhe klubi bëri gjithashtu. Kam ardhur në një kohë kur klubi ishte në një proces tranzicioni me Hasan Salihamixhiç dhe Oliver Kahn në kryesinë e klubit.
Unë mendoj se rrokada në postet drejtuese ishte ndoshta pak e tepërt në këto rrethana dhe se Oliver dhe Brazo fillimisht duhej të ‘notonin’ rrugën e tyre të lirë nga Karl-Hainc Rumenige dhe Uli Hënes”, tha Nagelsman për “stern”.
Ai përmendi Jurgen Klop dhe Pep Guardiola si shembuj, të cilëve u nevojiteshin disa vite në klubet e tyre, Liverpul dhe Mançester Siti, për të fituar tituj të mëdhenj. Në “Allianz Arena” presioni është i ndryshëm:
“Pritet nga një ditë në tjetrën”. Tekniku 37-vjeçar shprehu gjithashtu autokritikë dhe bëri krahasime me kohën e tij si trajner kombëtar. Ai pranoi se gjatë kohës si “timonier” i Bajernit i kritikonte publikisht shumë shpesh lojtarët e tij.