Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit, Naim Bazaj, do të garojë nën siglën e “Iniciativës për Drenasin”.
Ai vjen nga Tërsteniku, një nga fshatrat më të mëdha të Drenasit dhe është një tjetër rival i moçëm lokal i Ramiz Lladrovcit.
Bazaj është certifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Komunën e Drenasit.
“Me kënaqësi ju njoftoj se Iniciativa Qytetare ‘Për Drenas e Kosovë – PDK’ është zyrtarisht e certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetor 2025”, tha Bazaj.
“Unë, si kandidat për Kryetar Komune, së bashku me listën tonë për Kuvendin Komunal, do të garoj në emër të kësaj iniciative, me bindjen e plotë se Drenasi meriton më shumë dhe më mirë. Ne nuk jemi servilë të askujt as nuk behemi, Ne nuk jemi argat të atye klanëve qe të pytet Prishtina e rrethina”, tha ai.
“Ne jemi vetvetja zëri i qytetarëve të Drenasit. Të thjeshtë, të ndershëm dhe të përkushtuar për ndryshim të vërtetë, e jo piuna e të përfituesvë të tjerëve!”.
Në parafushatën e zgjedhjeve të vitit 2016, Bazaj, asokohe zyrtarisht pjesë e PDK-së, kishte bërë fushatë 12-ditore nëpër fshatrat e Drenasit duke u paraqitur si kandidat i partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kur partia e kishte nominuar Lladrovcin për kryetar, ai i indinjuar kishte shpallur kundër-kandidaturën e tij ndaj Lladrovcit si kandidat i pavarur.
Në momentet e fundit, në një tubim të ftuar me përkrahësit e tij ku planifikoi të zyrtarizonte nisjen e fushatës për për kryetar, Bazaj i befasoi edhe përkrahësit e tij duke u shfaqur përkrah Kadri Veselit, asokohe kryetarit të PDK-së.
Me ndërmjetësimin e Veselit, Bazaj tha se do ta përkrahte PDK-në dhe Lladrovcin në zgjedhje, ndonëse vetëm disa më përpara kishte akuzuar Kryesinë e PDK-së për “sjellje me zarf” të nominimit të Lladrovcit.
Bazaj, siç ishte dëshmuar në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2016, ka një përkrahje të konsiderueshme për të luajtur rol kyç si lojtar në zgjedhjet komunale. Baza e përkrahësve të tij është Tërsteniku, vendi i tij i lindjes.