Qytetarët e Drenasit tash e tre muaj përballen me një situatë të rëndë: problemet me furnizim me uji të pijshëm. Kjo gjendje nuk është vetëm problem teknik, por është kthyer në një krizë të përditshme për mijëra familje që po jetojnë me ankthin e një të drejte elementare të mohuar.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e menaxhuar nga kryeshefi Arsim Fetahu, i lidhur politikisht me Vetëvendosjen, ka njoftuar qytetarët përmes Facebook-ut se ndërprerjet e fundit ndodhin për shkak të punimeve teknike në kanalin e Ibër Lepencit dhe turbullirës së krijuar. Por këto njoftime, të përsëritura dhe të thata, nuk e zbusin aspak realitetin: problemet me furnizim me uji të pijshëm që tre muaj.
Më shumë se një problem teknik, ky është një dështim institucional. Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar duke theksuar se nuk është e drejtë që fajësia të hidhet mbi komunat, kur përgjegjësia ligjore dhe funksionale i takon kompanive rajonale dhe qeverisë. Siç theksoi drejtori i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, pa investime qendrore në burime të reja dhe diga akumuluese, gjendja nuk mund të përmirësohet.
Në këtë krizë, përveç mungesës së ujit, ajo që bie në sy është mungesa e përgjegjësisë. Komunat janë të pafuqishme pa investimet qendrore, ndërsa qeveria dhe KRU “Prishtina” mjaftohen me arsyetime. Për qytetarët, kjo përkthehet në tri muaj pa ujë, një luks i mohuar në shekullin XXI.
Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të ofrojnë një plan konkret dhe afatgjatë për furnizim stabil me ujë, jo vetëm në Drenas, por në të gjitha komunat që vuajnë nga i njëjti problem. Përndryshe, çdo ditë pa ujë është dëshmi e një paaftësie menaxheriale dhe politike, dhe çdo arsyetim i ri është vetëm një fyerje për qytetarët që presin zgjidhje.
Sepse jeta nuk pret, e as nuk shtyhet me njoftime në Facebook.