E hënë, 25 Nëntor, 2024

“Ndotja e lumit ishte e qëllimshme nga Ferronikeli”, punëtori i larguar pretendon se kompania iu ‘hakmor’ pasi nuk pranoi të nënshkruante se ndotja ishte incident

Sabit Lushtaku, që ishte i punësuar për 19 vite në fabrikën “NewCo ”Ferronikeli Complex”, ka pretenduar se kjo kompani po e ndot lumin Drenica qëllimisht. Lushtaku që mbante pozitën, zëvendës udhëheqës i energjetikës, tha se i është ofruar të nënshkruaj një dokument në të cilin thuhej se ndotja në lumin Drenica ishte incident, dhe pasi ka refuzuar është suspenduar.

Lushtaku, tha se nuk e ka nënshkruar dokumentin, sepse sipas tij ndotja e shkaktuar ishte e qëllimshme.

Ai tha për Insajderin, se ndaj tij “Ferronikeli”, ka marrë vendime tendencioze.

Sipas tij arsye e suspendimit ishte dyshimi se ka sinjalizuar ndotjen që po bën kjo kompani.

“Punoj që 19 vite, pozita ime është zëvendës udhëheq i Energjetikës. Kompania për shkak të pretendimeve të veta se unë kinse kam sinjalizuar ndotjen e ambientit, ka marrë hapa tenedecioz, ma kanë shkëput kontratën me datë 31 tetor 2024. Ndotja e lumit Drenica nuk ishte incident, ka qenë ndotje e qëllimshme. Kur më është ofruar nga menaxheri turk nënshkrimi i raporti të incidentit kam refuzu sepse ishte ndotje e qëllimshme. Nga ajo ditë më kanë suspednu prej punës”, tha ai.

Lushtaku, tha se fillimisht u suspendua për një vit, ndërsa kthimin do ta bënte me 1 nëntor 2024.

Ai thotë se ishte bërë gati për të iu rikthyer punës, por që pranoi një letër se kanë filluar procedurat disiplinore ndaj tij.

Ndërsa, me 31 tetor, iu dha lajmi se iu është shkëputur kontrata.

“Nga viti i kaluar e deri në tetor të këtij viti kam qenë i suspendum. Në vendim kanë thanë që duhet të kthehem në punë me 1 nëntor 2024, jam përgatit me shku në punë. Me 31 tetor ma kanë dërgu vendimin për shkëputje kontratë”, ka treguar Lushtaku.

Në vendimin për suspendimin e tij përmendet se Lushtaku, ka kanosur një të punësuar tjetër të kësaj kompanie, jashtë vendit të punës.

“Punëdhënësi juaj, NewCo Ferronikeli Complex LLC, është vënë në dijeni se ju jeni shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gllogoc me Aktgjykimin P.nr.384/2023 datë 27.12.2023, për shkak të veprës penale Kanosje të kryer ndaj të punësuarit tjetër të kompanisë Lah Elshani, pranë portës kryesore të kompanisë. Kjo vepër është kryer pasi që ndaj jush është shqiptuar masa diciplinore Suspendim i përkohshëm”, thuhet në vendim.

Aty përmendet edhe dyshimet se Lushtaku, mund të jetë sinjalizues i ndotjes nga “Feronikli” tek organizatat.

“Me datë 9 Janar 2024, një Organizatë me emrin Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit Gjethi, publikon një shkrim me të cilën pretendohet se NewCo Ferronikeli Complex LLC, me veprimet e veta ka shkaktuar dëm mjedisor duke ndotur ujërat sipërfaqësorë. Kjo organizatë thekson që këto informata i ka siguruar nga një burim i brendshëm tek prodhuesi. Në dijeninë tonë, ju keni qasje në këto informata dhe kjo ndërlidhet edhe me telefonatën tuaj të datës 03.01.2024 me të cilën keni paraqitur kërkesën se nëse ju takon apo nuk bisedon me juve menaxheri juaj, ju do të hapni gjyq penal ndaj kompanisë për shkarkimin e ujërave në lumë. Me këto veprime, ju dyshoheni se kanë shkelur Rregulloren për Përgjegjësi Diciplinore si dhe Etikën Profesionale”, thuhet aty.

Por, cilat ishin gjetjet e Organizates për ndotjen e “Ferronikelit”?

Një ndër gjigantët kryesorë industrial kosovar po dyshohet të jetë edhe ndër ndotësit më serioz të ujërave sipërfaqësor gjatë vitit 2023 në Kosovë, sipas organizatës “Gjethi”.

Krejt kjo sipas tyre ndodhi në kundërshtim me Lejen e Integruar Mjedisore me të cilën u pajis nga MMPHI më 2014.

“Por, janë hedhur dyshime serioze që në realitet ka rezultuar krejt ndryshe gjatë vitit 2023. Nga burime brenda prodhuesit që deshën të mbesin anonime, Gjethi mëson se 4 nga 5 sistemet e ujërave industriale të lartpërmendura shkarkojnë vazhdimisht dhe qëllimshëm ujërat e tyre në lumin Drenica përmes kanaleve të ujërave atmosferike”, thuhej në raportin e Organizatës për mbrojtjen e mjedisit Gjethi.

Gazeta Insajderi, për të gjitha këto pretendime ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania në fjalë, por që deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.

Të fundit

Shpallje

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer