Sunday, June 15, 2025

“Në 4 tendera shpalli fitues Kompani që nuk dëshmuan për kriteret në tender”, gjetjet e ZKA-së për Komunën e Mitrovicës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Mitrovicës së Jugut në katër procedura të prokurimit kishte shpallur fitues Kompanitë që nuk kishin sjellë dëshmi për kriteret e vendosura në tender.

Në Dosjen e tenderit për Projektin “Rregullimi i objekteve shëndetësore – QMF Bare dhe AMF Bajgorë” ishin kërkuar disa inxhinierë për të cilët ishte specifikuar se nevojiten edhe dëshmi për kualifikimet dhe përvojën e punës.

ZKA ka konstatuar se Kompania fituese nuk kishte dorëzuar dëshmitë për përvojën profesionale, por vetëm kishte bashkangjitur CV-të e stafit. Tenderi ishte në vlerë 110,000 euro.

Në tenderin për Projektin “Ndërtimi i Çerdhes për fëmijë në Shipol – Faza e fundit” ishte kërkuar një inxhinier ose master i Gjeodezisë me minimum katër vjet përvojë punë pas diplomimit. Për dëshmi ishin kërkuar CV-ja, diploma e noterizuar, si dhe dëshmi përmes Kontratës së punës.

Por, ZKA ka gjetur se Kompania e shpallur fituese në tenderin në vlerë prej 147,000 eurosh nga Komuna e Mitrovicës së Jugut si dëshmi kishte sjellë vetëm CV-në.

Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në tenderin për “Mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore për QKMF-QMF-AMF” në vlerë 74,000 euro.

Për këtë tender ishte kërkuar që Operatori Ekonomik të dëshmonte posedimin e kapaciteteve teknike dhe profesionale për një serviser të autorizuar për mamografi dhe serviser të autorizuar për një printer. Për dëshmimin e këtyre kapaciteteve kërkohej prezantimi i listës së stafit profesional – përfshirë licensat, diplomat, Kontratat, CV-të.

“Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit kemi vërejtur se OE nuk kishte prezantuar listën e kërkuar të stafit. Mungonin CV-të dhe Kontratat.” – ka gjetur ZKA.

Rast të njëjtë ZKA ka gjetur edhe në tenderin “Furnizimi me kabinete për Shkolla” në vlerë 169,000 euro.

Për këtë Kontratë në Dosjen e tenderit ishte kërkuar që Operatori Ekonomik të dëshmonte përvojën prej 5 vjetësh të punës së inxhinierit të Elektros.

Por, ZKA ka konstatuar anipse nuk ishte dëshmuar kjo nga OE Komuna e Mitrovicës së Jugut e kishte shpallur fitues Kompaninë.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i ka dhënë Opinion të kualifikuar Komunës së Mitrovicës së Jugut në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024.

Baza për Opinion të kualifikuar kanë qenë 4 gjetjet e këtij Raporti, që lidhen me vlerën e detyrimeve kontigjente të mbivlerësuara për 101,000 euro. Vlera e llogarive të arkëtueshme që ishte nënvlerësuar për 18,000 euro. Regjistri i pasurive që ishte nënvlerësuar për 2,000 euro, si dhe pagesat prej 593,000 euro për Vendimet gjyqësore dhe nga përmbaruesi, që ishin realizuar nga kategoria ekonomike, ishte joadekuate duke shkaktuar keqklasifikim të shpenzimeve.

Raporti ka rezultuar me 13 Rekomandime: nga to 7 Rekomandime të reja, 5 të përsëritura dhe 1 pjesërisht i përsëritur./Kallxo.com

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer