E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Në kanalet sportive serbe që transmetohen në Kosovë shfaqen mesazhe mbështetëse për terroristët

Në kanalet sportive serbe të ‘ArenaSport’ që në Kosovë transmetohen përmes platformave televizive si ‘Artmotion’, ‘Kujtesa’ dhe ‘Ipko’, pasditen e së shtunës janë shfaqur mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të dielën e 24 shtatorit.

“Do t’i kujtojmë” dhe “Lavdi heronjëve” janë mesazhet e shkruara në kanalet e ‘ArenaSport’, ndërsa ngjitur është edhe data 24 shtator 2023.

 

 

Por kjo nuk është hera e parë që këto kanale që në Kosovë transmetohen përmes tri platformave televizive, kanë shfaqur mbështetje publike për sulmin terrorist në Kosovë.

Më 27 shtator, kur Serbia shpalli zyrtarisht ditë zie për shtetin e tyre, në kanalet e ‘Arenasport’ përgjatë transmetimit të ndeshjeve, poshtë ekranit u shfaq edhe shkrimi ‘ditë zie’.

Më pas, në të njejtën ditë, këto kanale u ndalën nga transmetimi.

 

 

Në lidhje me këtë, kompania Artmotion në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ka pasur probleme teknike.

Kompania në fjalë ishte pyetur se pse ka qenë i shfaqur shkrimi ‘ditë zie’, si dhe pse më pas janë ndalur transmetimet në kanalet e ‘Arenasport’.

“Ju informojmë se kemi pësuar disa probleme teknike të ndërlidhura me pranimin e sinjalit burimor në ditët e fundit. Kjo situatë ka shkaktuar ndërprerje të shërbimit të kanalet tona të transmetimit me datën 27.09.2023 pastaj problemi kryesor ka qenë lidhur me dëmtimin e infrastrukturës së fibrit optik, i cili është përdorur për të dërguar sinjalin televiziv tek abonentët tanë” – kanë thënë nga kompania për KALLXO.com, më 29 shtator.

“Ndërprerja e shërbimit është ndikuar negativisht në përjetimin e abonentëve tanë, të cilët janë dëmtuar nga humbja e shfaqjeve të tyre të preferuara dhe ndërprerja e shërbimit televiziv. Për fat të keq, kjo ka ndodhur në një moment të papërshtatshëm, ku shumë prej tyre kishin planifikuar të shikojnë ngjarje të rëndësishme televizive, pikërisht edhe eventet sportive” – vazhdon përgjigja.

 

 

Artmotion ka thënë se problemi teknik është detektuar dhe zgjidhur të nesërmen, pra më 28 shtator dhe sipas tyre kanalet kanë qenë aktive përsëri për abonentët.

“Pasi ne kemi rregulluar problemet aktuale, po punojmë edhe më vazhdimisht për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen dhe kemi siguruar abonentët tanë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur cilësinë e shërbimit tonë të lartë dhe për të minimalizuar ndërprerjet e mundshme qe ndodhin nga faktorët e jashtëm” – thuhet më tutje në përgjigje.

Pas shfaqjes së pamjeve të tjera sonte, KALLXO.com ka dërguar pyetje të tre operatorëve dhe është në pritje të përgjigjeve.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të autoriteteve rregulluese, në Komision të Pavarur të Mediave (KPM) dhe në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), lidhur me kompetencat dhe veprimet e tyre në këtë rast.

 

 

Gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit u vra edhe rreshteri, Afrim Bunjaku, i cili u shpall “Hero i Kosovës” nga Presidentja e Kosovës, një ditë pas rënies së tij.

Ky sulm u dënua nga institucionet vendore dhe nga Bashkimi Europian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer