Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik, ky apel vjen në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Në apelin e policisë thuhet se fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët.
“Viti i ri shkollor fillon në shtator dhe fëmijët sërish bëhen pjesëmarrës aktivë në trafik! Ne e dimë që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për të gjitha rreziqet e mundshme në rrugë, prandaj siguria e tyre duhet të jetë shqetësimi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas policisë, në vitin 2022 në trafik jetën e kanë humbur 106 persona, prej tyre pesë kanë qenë deri në moshën 12-vjeçare, shtatë kanë qenë nga mosha 13 deri 18-vjeçare dhe 94 kanë qenë mbi moshën 19-vjeçare.
Në vitin 2022 thuhet se në trafik janë lënduar 14 mijë e 714 persona, prej tyre 787 kanë qenë deri në moshën 12-vjeçare, 962 kanë qenë nga mosha 13 deri 18-vjeçare dhe 12 mijë e 965 persona kanë qenë mbi moshën 19-vjeçare.
“Për të minimizuar këto shifra dhe për të kontribuar për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht fëmijëve, përgjegjës jemi të gjithë”, ka thënë tutje policia.