Nënkryetari i degës së PDK-së në Drenas, Driton Ajazi, ka reaguar pas Konventës së 12-të të jashtëzakonshme të Partisë Demokratike të Kosovës, ku Bedri Hamza mori drejtimin e partisë si kryetar.
Ajazi ka uruar Hamzën për marrjen e detyrës, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të lartë që kërkon “përkushtim, seriozitet dhe vizion të qartë”.
Sipas tij, PDK mbart një trashëgimi të shenjtë nga gjeneratat që sollën lirinë dhe shtetësinë e vendit, prandaj drejtimi i saj është një nder i madh, por edhe obligim serioz.
Postimi:
Sot, në Konventën e 12-të të jashtëzakonshme të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Bedri Hamza mori besimin dhe përgjegjësinë për të udhëhequr PDK-në si Kryetar i saj.
Urime dhe suksese në këtë detyrë me përgjegjësi të lartë, që kërkon përkushtim, seriozitet dhe vizion të qartë. PDK mbart mbi vete një trashëgimi të shenjtë nga gjeneratat që sollën lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, prandaj drejtimi i saj është nder, por edhe obligim i madh.
Jam i bindur se Kryetari i ri do ta çojë përpara këtë trashëgimi me vendosmëri, duke e rikthyer PDK-në në pozitën e parë në nivel vendi, ashtu siç i ka hije një partie që ka udhëhequr proceset më të rëndësishme të vendit tonë.
Kosovës sot i duhet më shumë Bedri Hamza si Kryeministër sesa atij personalisht sepse vendi ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe për një udhëheqës të përgjegjshëm e kompetent.
Mirënjohje dhe vlerësim i posaçëm për z. Memli Krasniqi për lidershipin, qetësinë dhe kohezionin që ka sjellë në një periudhë të vështirë jo vetëm për PDK-në, por edhe për vetë vendin. Udhëheqja e tij përballë sfidave meriton respekt dhe falënderim të sinqertë.
PDK është më e madhe se çdo individ. Ajo është projekt i mendjes dhe zemrës së mijëra qytetarëve që besojnë në të ardhmen e Kosovës. Besoj fuqishëm se rruga jonë e përbashkët do të vazhdojë me vizion të qartë, me punë të palodhshme dhe me vendosmëri për të kthyer shpresën, zhvillimin dhe stabilitetin në vend.
D.A.