Sunday, January 11, 2026

Nenkryetari Ajazi kritikon Ramiz Lladrovci: Qeverisja nuk bëhet me kamera e paraqitje publike, por me zgjidhje konkrete për qytetarët

Nënkryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Driton Ajazi, përmes një postimi në facebok e ka kritikuar kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, duke thënë se qeverisja nuk bëhet me kamera e paraqitje publike, por me zgjidhje konkrete për qytetarët, shkruan rajoni.org.

Driton Ajazi ka thënë se daljet e kryetarit në rrugë të përmbytura janë vetëm për “filma” dhe propagandë, ndërsa problemet reale vazhdojnë prej vitesh. Sipas tij, kryetari i komunës duhet të mësojë nga praktika të mira të qeverisjes, si ato në Holandë, ku edhe pse qytetet janë nën nivelin e detit, nuk ka përmbytje.

Postimi:

Përpara se të vishen qizmet dhe të dilet nëpër rrugë të përmbytura për të bërë “filma” e propagandë boshe, do të ishte shumë më e ndershme dhe më e dobishme që të merren praktika reale qeverisëse nga vende që, edhe pse ndodhen nën nivelin e detit, nuk përmbyten kurrë.

Kosova nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me shtete të tilla si Holanda, por modelet e menaxhimit dhe të planifikimt të suksesshëm mund dhe duhet të përshtaten edhe në kushtet tona.

Kryetari i komunës nuk zgjidhet nga qytetarët që udhëtimet jashtë vendit t’i shfrytëzojë për të ndjekur ndeshje futbolli, por që të vizitojë, të mësojë dhe të sjellë praktika dhe modele të suksesshme të qeverisjes, të cilat do t’ua lehtësonin jetën qytetarëve tanë.

Në qeverisje nuk ka vend për krekosje, e aq më pak me u vetëshpall si “kampion”, kur edhe pas 10 vitesh në pushtet, nuk është arritur t’u sigurohet qytetarëve as uji i pijshëm, një e drejtë elementare për jetë. Qytetarët e Drenasit, madje edhe ata të kyçur në ujësjellës, mbesin me javë të tëra pa ujë, verës për shkak të mungesës së tij, e dimrit për shkak të vërshimeve.
Shtojmë këtu edhe faktin se përmbytjet përsëriten pothuajse çdo vit, duke u shndërruar në një normalitet të dhimbshëm dhe të papranueshëm për shumë qytetarë. Kjo situatë është bërë e padurueshme për shumë familje, dhe pasojat janë të rënda, ku sipas regjistrimit të fundit, rreth 12 mijë qytetarë e kanë braktisur Komunën e Drenasit, për shkak të mungesës së kushteve elementare për jetesë dhe mungesës së perspektivës për punë e zhvillim.
Qeverisja nuk matet me kamera, me poza dhe deklarata boshe. Qeverisja matet me zgjidhje konkrete të problemeve, rezultate dhe dinjitet për qytetarët.

P.S. Në këtë video mund të shihni një praktikë të mirë qeverisëse, qytetin e Roterdamit, i cili ndodhet nën nivelin e detit dhe megjithatë nuk përmbytet kurrë. Këto janë modelet që duhet t’i studiojmë dhe adaptojmë në qytetet tona, nëse vërtet duam t’i japim fund përmbytjeve të përvitshme dhe dështimeve të njëpasnjëshme.

D.A.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer