Nënkryetari i Degës së PDK-së në Drenas, Driton Ajazi, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në Kuvendin Komunal të Drenasit, duke akuzuar për, siç tha ai, “pazare politike” gjatë procesit të zgjedhjes së Kryesuesit të Kuvendit.
Sipas Ajazit, në vend që dita e pazarit të mbahej në tregun tradicional të së enjtes, “pazari politik” është zhvilluar të mërkurën brenda sallës së Kuvendit Komunal, ku disa asambleistë opozitarë, sipas tij, janë rreshtuar me pushtetin për interesa personale.
Reagimi i plotë:
Zakonisht, dita e pazarit në Drenas mbahet të enjten. Por, për ironi, sot ditë e mërkurë, pazari u zhvillua brenda sallës së Kuvendit të Komunës së Drenasit. Një pazar politik i hapur, ku objekt tregtie u bënë disa të ashtuquajtur asambleistë “opozitarë” të këtij Kuvendi, duke e shndërruar institucionin e qytetarëve në arenë pazarlleqesh të ulëta. Fatbardhësisht ia mësuam fytyrat secilit.
Pa asnjë fije turpi, disa nga këta asambleistë “opozitarë”, që gojën e kanë plot “parime” dhe që publikisht thirren në “mbrojtje të interesit qytetar”, sot u rreshtuan krah pushtetit me votë dhe u bënë pjesë aktive e pazareve për interesa puro personale, për zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit. Atyre u them pa asnjë hezitim, se turpi do t’ju ndjekë gjatë gjithë kohës. Drenasi është i vogël, qytetarët e njohin secilin dhe koha do t’ua zbulojë fytyrën e vërtetë, fytyrën e pazargjiut. Jo rastësisht, qytetari ua ka treguar vendin edhe në zgjedhje, ku mezi keni arritur të hyni në Asamble si bartës listash; përndryshe, Komunën do ta shihnit vetëm nga larg, prej shpatit.
Sot ndihem jashtëzakonisht krenar me grupin tonë të asambleistëve të PDK-së, ku 11 anëtarë, njëzëri, me dinjitet dhe pa lëkundje, i thanë JO pazareve të pushtetit. Ata i qëndruan besnikë votës qytetare dhe besimit që u është dhënë, duke dëshmuar se politika mund dhe duhet të bëhet me parime, jo me pazare.
Po ashtu, shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për një asambliste opozitare që në këtë proces mbajti qëndrim korrekt dhe institucional, duke abstenuar me votën e saj.
Krenaria ime vjen nga fakti se kam ndërgjegje të pastër dhe u dal ballëhapur të gjithë qytetarëve për qëndrimet e mia kundër një pushteti abuziv dhe të korruptuar që tash e katër vjet e ka mbajtur Drenasin peng. Qëndrimi im nuk ka qenë kurrë i luhatshëm dhe as i negociueshëm. Prandaj, këtij veprimi dhe kësaj bindjeje i shkon më së miri thënia e pavdekshme e Çerçiz Topullit:
“Që nga dita që kam lerë, kurrë s’jam shitur, e kurrë s’jam blerë.”
D.A.