Pas gati një viti nga dëmtimi i rëndë në gjurin e majtë, sulmuesi brazilian Neymar është rikthyer në stërvitje me skuadrën e Al Hilal.
Ish-sulmuesi i Barcelona dhe PSG ka kryer dje seancën e parë stërvitore me grupin.
Gjithsesi, faza e rikuperimit 100% nga dëmtimi vijon ende dhe tani do të vijojë të stërvitet me topin para se të rikthehet në ndeshjet zyrtare.
“Jam rikthyer. Jam i lumtur që jam sërish me grupin. Dhe tani vetëm gëzim”, ka shkruar Neymar në rrjetet sociale.
Një mënyrë kjo për të festuar rikthimin në fushë pas një periudhe të gjatë dëmtimi. Vitin e fundit janë bërë virale lotët e tij gjatë periudhës së rehabilitimit, por ky kalvar i gjatë tashmë ka marrë fund.
Neymar kishte luajtur vetëm 5 ndeshje të kampionatit të kaluar dhe më pas erdhi dëmtimi i meniskut dhe të ligamentit të kryqëzuar në tetor 2023. Pavarësisht rikthimit në grup, për të parë Neymar në fushë duhet pritur janari.
Për shkak të dëmtimit të gjatë që pësoi, klubi që drejtohet nga trajneri Jorge Jesus nuk e ka federuar ende lojtarin për këtë sezon të Saudi Pro League. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm në janar.