Monday, June 16, 2025

Nga 15,299 objekte të regjistruara, Komuna e Klinës verifikoi vetëm 1,516 prej tyre

Nga gjithsej 15,299 objekte të regjistruara në sistem për tatimin në pronë Komuna e Klinës arriti të verifikojë afër 10% të tyre, saktësisht 1,516 prona dhe jo aq sa e kërkon Ligji.

“Komuna në vitin 2024 për tatimin në pronë të objekteve në sistemin Protax kishte të regjistruar 15,299 objekte. Ne kemi vërejtur se Komuna nuk kishte arritur të bënte inspektimin (verifikimin) e 20% pronave të paluajtshme, siç kërkohet nga ligji në fuqi, por kishte verifikuar vetëm 1,516 pronave të paluajtshme apo afër 10%.” – thuhet në gjetje të Raportit.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin e saj tregon se mosinspektimi i pronave rezulton me informata jo të plota të pronës së tatueshme aktuale, si dhe të ndikojë në vlerësim jo të saktë të të hyrave për tatimin në pronë.

Këtë gjetje ZKA e bazon në Ligjin Nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, Neni 15, Pika 2, ku përcaktohet se “Komuna çdo vit inspekton të paktën 20% të të gjitha objekteve brenda territorit të Komunës dhe për të ndihmuar në veprimtaritë inspektuese mund të angazhojë edhe inspektorë privat”.

Kreut të Komunës iu rekomandua të rrisë aktivitetin në verifikimin e pronave të paluajtshme.

“Kryetari duhet të sigurojë rritjen e aktiviteteve për verifikim të pronave të paluajtshme, sipas kërkesave ligjore, në mënyrë që ndryshimet eventuale të pronave të integrohen në bazën e të dhënave për të reflektuar detyrimin e saktë tatimor.” – rekomandon Raporti.

Menaxhmenti i këtij entiteti është pajtuar me gjetjen e Auditorit.

Për më tepër nëpërmjet letrës së konfirmimit, më 29.05.2025, kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj konfirmon se e ka pranuar Raportin dhe është pajtuar me gjetjet e Raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e Raportit të auditimit “Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Klinës për vitin 2024”.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer