Vazhdon lëvizja politike e ish-asamblistit të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Hajriz Mustafa, i cili kësaj radhe ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), shkruan rajoni.org.
Mustafa, i cili më herët ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe më pas edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, nuk kishte gjetur hapësirën e dëshiruar në këto dy parti. Tani ai është prezantuar si anëtari më i ri i PDK-së nga kryetari i degës në Vushtrri, Ferit Idrizi.
Idrizi ka bërë të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur mirëseardhje për Mustafën, i cili pritet të jetë kandidat për Asamblenë Komunale të Vushtrrisë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Postimi:
Faleminderit për mbështetjen Hajriz!
Në këto zgjedhje, Hajriz Mustafa nga fshati Smrekonicë i bashkohet vizionit tonë si mbështetës i punës dhe planeve tona për komunën.
Hajrizin e kam njohur si një njeri të përkushtuar dhe me integritet të lartë profesional. Për më shumë se dy dekada, ai ka qenë zëri i qytetarëve përmes Radios Vicianum dhe Radio Natyra, duke ushtruar role të rëndësishme si gazetar, moderator dhe kryeredaktor.
Përveç angazhimit në media, ai ka shërbyer edhe si asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë dhe është veçuar për përkushtimin ndaj kauzave sociale, sidomos në mbështetje të personave me aftësi të kufizuara, përmes bashkëpunimit me HENDIKOS dhe mërgatën shqiptare në Gjermani.
Jam thellësisht mirënjohës për besimin dhe përkrahjen e tij në këtë rrugëtim të përbashkët.
#PërVushtrrinë