E shtunë, 28 Dhjetor, 2024

“Nga Fehmia jam nda një ditë më herët dhe me tha shtroma vendin“, Flasin miqtë dhe bashkëluftëtarët e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit!

Në 25 vjetorin e rënies heroike të ish Komandantit të Brigadës 114, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, heroines Xhevë Krasniqi-Lladrovci, është publikuar dokumentari “Një jetë kushtuar Lirisë”, i cili dokumenton jetën dhe kontributin e jashtëzakonshëm që nga vitet e 80-ta e deri në rënien e tyre në altarin e Lirisë.

Fehmi Lladrovci lindi më 15 maj 1956 në fshatin Shkabaj (ish-Gllanasellë) të komunës së Drenasit. Ishe i biri i Muhamet dhe Shefkie Lladrovcit.

I rritur në një familje atdhetare dhe patriotike Fehmi Lladrovci qysh në rini ishte aktivizuar në çështjen kombëtare, duke qenë afër familjes Muja, në shtëpinë e së cilës qendroi gjatë shkollimit të mesëm, shtëpi kjo e cila ishte çerdhe e veprimtarëve të lëvizjes.

Ish-Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Shaban Muja rrëfen se si në vitin 1985 ishte arrestuar Fehmi Lladrovci dhe kohën që kishte kaluar deri në lirimin e tij nga burgu.

“Nga Fehmia jam nda një ditë më herët dhe me tha shtroma vendin se kam me ardhë me bujt te ju, Fehmia nuk ka ardhë te na me bujt dhe kur kanë ardhë me arrestu e kanë pa vendin shtrut por Fehmia nuk ishte aty. Ai bjen në burg në shtator 1985”, tha Muja.

Bashkëveprimtari dhe bashkëluftëtari i Fehmiut, ish komandanti i batalionit të parë në Brigadën 121, Idriz Hyseni rrëfën për maltretimet që kanë pasur nga koha e paraburgimit e deri në dergimin e tyre në Kroaci.

“Pasi vritet Rexhepi e Nuhiu ne detyrohemi të vazhdojmë organizimin edhe pa ta dhe me 4 nëntor burgosemi rreth 300 veta brena një nate”, tha Hyseni.

Veterani Hyseni  përmend torturat dhe presionet që kanë përjetuar nga policia serbe.

Ai tutje i emocionuar kujton kohën kur heroina Xhevë Krasniqi Lladrovci kishte vizituar heroin në burg për t’i dhënë lajmin e madh që kishte vendosur të shkojë në shtëpinë e Fehmiut për ta pritur derisa të lirohet nga burgu.

“Fehmia kur është dënuar i ka thënë Xhevës që do ta lirojë dhe ajo mërzitet shumë dhe kur shkon të babai i saj Avdyli i thotë , “bab du me u martu, me shku te familja e Fehmiut. Shkon atje dhe hyn nuse pa dhanderr. Për ne ka qenë krenari e madhe një vendim i tillë i Xhevës”, tha Hyseni.

Idriz Hyseni tregon tutje për respektin e madh që kishte për Fehmiun, veprimtari i madh i çështjes kombëtare Adem Demaçi.

“Fati jonë ka qenë që ne jemi takuar në burg me bacën Adem i cili e ka respektua e ka dashtë shumë Fehmiun për idetë e tij që liria nuk arrihet ndryshe veq me luftë”, tha Hyseni.

Pas lirimit të tij nga burgu Fehmi Lladrovci ishte pjesë e luftës në Kroaci dhe nga atje solli armatim edhe në Kosovë.

Pas masakrës që kriminelët serb bënë mbi popullaten civile në Qirez e Likoshan, pas rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes heroike Jashari, falë përvojës ushtarake të Komandant Fehmi Lladrovci dhe organizimit të mirëfilltë të Brigades 114, nga marsi e deri me 22 shtator 1998 zona e fshatrave përreth Qyqavicës ishte zonë e lirë dhe forcat serbe nuk kishin arritur të depertonin me gjithë përpjekjet e mëdha.

Ish komandanti i pikes së Shavarinës “Shkaba 2”, Prof. Dr, Islam Krasniq, rrëfën takimin e parë që pati me Komandant Fehmi Lladrovci pasi ishte bashkuar në radhet e ushtrisë çlirimtare për tu hakmarrë për ish nxënësit e tij nga familja Ahmeti në Likoshan të masakruar nga forcat serbe.

3 javë para se të niste ofensiva e shtatorit komandant Idriz Hyseni bashkë me shokë kishin vizituar heroin Fehmi Lladrovci në Shavarina për të parë nga afër përgatitjet që kishte bërë ai për të zbrapsur forcat serbe.

“Kemi shkuar bashkë me Agim Çela  dhe në një çast ai e ka pyetur për kanalin e tërheqjes, Fehmia tha nuk ka kanale të tërheqjes”, vazhdon tutje rrëfimin Idriz Hyseni.

Me 22 shtator 1998 forcat serbe ishin nisur në drejtim të fshatit Shkabaj për të depertuar në fshatrat ku ishin strehuar popullata civile.

Komandant Fehmi Lladrovci ishte vënë në mbrojtje të popullates civile dhe kishte filluar mobilizimin për t’i zbrapsur çetnikët serb.

Veterani i UÇK-së, Islam Krasniqi tregon se çfarë iu kishte thënë Fehmiu ushtarëve para se të fillonin luftimet.

“Jemi takuar në pozicione të Shavarinës dhe aty na ka thanë që urdhëri është në 50 metra distancë me i sulmu serbët, jemi përshendet dhe i kam thënë që kurrë nuk tërhiqna pa urdhërin tend”, tha Krasniqi.

Ai tutje rrëfen për luftimet që u bënë nga mëngjesi e deri në pasdite në zbrapsjen e forcave serbe.

“Dikun në ora 08:30 kanë fillu luftimet dhe Fehmiu ka bërë një luftë të jashtëzakonshme bashkë me Xhevën, Fatimen dhe bashkëluftëtarë tjerë. I ka pasë disa armë me rreze të gjata veprimi, rreth 6 kilometra. Ai na i ka mbrojtë pozicionet tona që mos me na u afru forcat serbe, i ka asgjësu tanket dhe këmbësorinë”, tha Krasniqi.

Pas përfundimit të luftimeve ushtarët e Fehmi Llafdrovcit morën lajmin më të rëndë, atë të rënies së komandantit të tyre bashkë me Xhevën, Fatimen dhe ushtarë tjerë.

Pas rënies së Komandantit forcat serbe kishin arritur që nga ana tjetër të hyjnë në fshatrat e Qyqavicës dhe bënë krime të tmershme mbi popullatën civile e cila ishte strehuar në bjeshket e Qyqavicës.

Pas disa ditësh, ushtarët e UÇK-së varrosin eshtrat e heronjve dhe para varreve të tyre betohen që të luftojnë deri në çlirimin e Kosovës nën komandën e komandantit të ri Ilaz Kodra, i cili deri në rënie udhëhoqi brigadën 114 “Fehmi Lladrovci”.

 

Ky dokumentar është realizuar nga sociologu dhe gazetari, Leutrim Sahiti, i cili ka nisur një seri dokumentarësh me emrin “Epope” për dokumentimin dhe promovimin e historisë, përpjekjeve shekullore për çlirim, luftën e UÇK-së si dhe dokumentimin përmes rrëfimeve të masakrave që serbët bënë mbi popullatën civile në Kosovë. /Epope/

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer