Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e dymbëdhjetë të këtij edicioni, çmimi i është ndarë futbollistit të FC Drenica, Igball Jasharit, i cili pati një paraqitje të shkëlqyer individuale për skuadrën e tij gjatë 80 minutave të ndeshjes.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enver Prapashticës, Besim Slishanit dhe Bujar Asllanit.
Pas pranimit të çmimit, Jashari është shprehur i lumtur për vlerësimin e bërë:
“Ndeshjen e kemi përgatitur mirë, edhe pse kemi pasur një orar shumë të ngjeshur. Gjatë javës kemi zhvilluar dy ndeshje, nga të cilat kemi arkëtuar 4 pikë që janë shumë të nevojshme për ekipin tonë. Nga boshti i ekipit të vitit të kaluar kemi qenë vetëm pesë lojtarë, dhe ka qenë e vështirë në fillim komponimi i ekipit, por duket se e kemi gjetur formën tonë dhe tashmë jemi mirë. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe marrëdhëniet me trajnerin janë shumë të mira. Për mua është privilegj të shpallem lojtari më i mirë i javës, dhe kjo do të jetë një shtytje që të punoj edhe më shumë,” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.