Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sot pranë një hoteli në Dragodan.
Indeksonline ka raportuar se në vendin e ngjarjes tashmë gjenden edhe njësitet policroe, të ndihmës së parë dhe ato të Forenzikës.
Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se si pasojë e të shtënave. një person ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.
Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar (dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje” ka thënë Ahmeti për Indeksonline.